Vendosni fjalën kyçe....

Euro prek nivelin më të ulët në dy muaj, bie poshtë 115 lekëve


Euro e ka nisur edhe këtë javën në rënie në kursin e këmbimit ndaj lekut, duke zbritur përsëri poshtë nivelit të 115 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 114.86 lekë, niveli më i ulët që prej datës 4 janar të këtij viti.

Agjentët e këmbimit valutor shprehen se arsyeja kryesore pas kësaj rënieje është kërkesa e dobët për euro në treg. Sipas tyre, gjatë javëve të fundit blerjet e euros kanë qenë në nivele të ulëta. Nga ana tjetër, ata shprehen se prurjet e monedhës europiane ngelen relativisht të larta, sidomos nga individët.

Kursi shfaqi një luhatshmëri të fortë në periudhën mes fundit të dhjetorit dhe fillimit të janarit. Pasi preku nivelin më të ulët historik më datë 28 dhjetor, në 112.83 lekë, në vijim euro shënoi një rritje të fortë, që, sipas agjentëve, shpjegohet kryesisht me kërkesën e fortë që shkaktoi ulja e kursit në nivele aq të ulëta, por edhe me rritjen e fortë të ofertës së lekut, të shkaktuar nga përqendrimi i fortë i shpenzimeve publike në fund të vitit të kalendarik.

Pagesat buxhetore krijuan likuiditete shtesë për shumë biznese të lidhura dhe një pjesë e tyre shrytëzuan konjukuturën e kursit për të realizuar blerje në avancë për nevojat e tremujorit të parë 2023.

Kjo duket se ka shkaktuar një kërkesë më të dobët për valutë gjatë tremujorit të parë dhe po reflektohet edhe në raportet e kursit të këmbimit të euros me lekun. Pas një ecurie relativisht të qëndrueshme gjatë muajit janar, pas shkurtit kursi i euros i është kthyer një tendence në rënie, që veçanërisht në dy javët e fundit është përshpejtuar edhe më shumë.

Ndikim në favor të zhvlerësimit të euros dhe forcimit të lekut mund të ketë dhënë edhe bilanci tregtar i vendit. Sipas INSTAT, për muajin janar deficiti tregtar u ul me 19.4% krahasuar me një vit më parë dhe me 70.3% krahasuar me dhjetorin.

Të dhënat e plota të bilancit të pagesave ende nuk janë të disponueshme, por të dhënat e tërhtorta tregojnë një ecuri mjaft pozitive të turizmit edhe për muajin janar, me një rritje të hyjreve të shtetasve të huaj me 94%. Turizmi po bëhet një faktor me ndikim gjithnjë e më të rëndësishëm në bilancin e pagesave dhe si rrjedhojë edhe në kursin e këmbimit valutor.

Një faktor tjetër që në teori po ndikon në forcimin e lekut mund të jetë shtrëngimi i politikës monetare dhe asaj fiskale. Banka e Shqipërisë rriti vitin e kaluar normën bazë të interesit me ritme të shpejta, duke e çuar nga 0.5% në 2.75%.

Ndërkohë, sipas të dhënave paraprake, vitin e kaluar deficiti buxhetor pësoi rënie me 8.2% krahasuar me vitin 2021. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të vitit të kaluar 2022 rritja vjetore e agregatit monetar M2, që përafron ofertën monetare në lekë zbriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2018.

Kjo tregon një ngadalësim të rritjes së ofertës së lekut, edhe ky faktor me ndikim potencial në kursin e këmbimit valutor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor