Vendosni fjalën kyçe....

Programi IPARD II, në 2022 u disbursuan 19.1 milionë euro për përfituesit


Programi IPARD II që mundëson financimin e investimeve në bujqësi sipas hapësirave të parashikuara në kornizën e tij arriti të sigurojë 19.1 milionë euro për sipërmarrësit shqiptarë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi se në këtë fond janë bërë pagesa të plota dhe të pjesshme për një numër të konsiderueshëm investimesh.

“Përfitues nga programi IPARD II: Gjatë vitit 2022, janë paguar 111 investime të plota/të përfunduara dhe janë kryer 84 pagesa paraprake, me një total disbursimi prej 19.1 mln euro, prej të cilave 14.4 mln euro nga BE dhe 4.7 mln euro nga buxheti shtetit. Në këta përfitues rreth 17 % kanë qenë gra (33 kontrata). AZHBR ka arritur të përthithë fondin e alokuar për vitin 2022, nën IPARD, duke evituar riskun e djegies së tyre. Po ashtu gjatë 2022, është miratuar programi IPARD III dhe jemi në procesin e akreditimit të masave të reja” thuhet në relacionin e monitorimit të buxhetit të vitit të shkuar të kësaj ministrie.

Raporti ndalet edhe tek mbështetja e sektorit përmes skemës kombëtare ku del në pah se blegtoria, kultivimi i grurit dhe bletaria janë ato që kanë përfituar sipas radhës pjesën e fondeve në dispozicion.

Në total ishin 3.2 miliardë lekë për skemat kombëtare. Kësaj ju shtua edhe mbështetja për karburantin për anijet e peshkimit dhe ajo e për nxitjen e kultivimit të grurit pas situatës së krijuar në Ukrainë nga nisja e agresionit rus.

“Gjatë vitit 2022, aplikuan gjithsej në masat kombëtare rreth 19 708 fermerë, nga të cilët pas procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit, u disbursuan 13 925 përfitues, ose rreth 71% e tyre. Aplikimi dhe disbursimi më i madh i fondeve ishte tek masa e blegtorisë me rreth 44% përfitues, ndjekur nga masa për kultivimin e grurit me rreth 28.3% dhe mbështetja për bletarinë me rreth 19.3% të totalit të përfituesve” nënvizon ministria.

Sipas publikimit qarqet me numrin më ta lartë të përfituesve kanë qenë: Fieri me rreth 18.6%, Korça me 15.4%, Vlora me 13.4%, Gjirokastra me 9%, e kështu me radhë. Po kështu numri më i lartë i aplikimeve në masën e mbështetjes për blegtorinë ka qenë në qarkun e Vlorës, ndjekur nga qarku Korçës dhe Gjirokastrës, ndërkohë që në masën e mbështetjes për grurin, numri më i lartë ka qenë në qarkun e Fierit, Korçës, Elbasanit dhe Tiranës.

Në masën e mbështetjes me inpute për kultivimin e perimeve në sera, numri më i lartë i përfituesve ka qenë në qarkun e Fierit dhe Beratit./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor