Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me mësuesit për 7-Marsin: Mësuesia nuk është më një profesion i preferuar, sirena alarmi të frikshme për një komb


Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me mësuesit me rastin e 7-Marsit.

Në fjalën e tij, krahas urimeve të ditës së shënuar të Mësuesit, Berisha vijoi sërish me akuzat ndaj qeverisë duke thënë se arsimi ka qenë një ndër viktimat kryesore të këtij regjimi, ndërsa shtoi se ky profesion nuk është një nga të preferuarit e të rinjve, pasi kjo qeveri ka ngritur në piedestal injorancën.

Berisha shtoi se arsimtarët në vendin tonë paguhen më pak, rreth dy herë më pak se kolegët e tyre në rajon dhe se mësuesia nuk është më një profesion i preferuar, çka është një sirenë alarmi.

 

“Me pasionin, përkushtimin, mësuesit ndriçojnë mendjet e fëmijëve tan me dije e qytetërim. Mëkojnë së bashku me familjen ndjenjën e dashurisë për Atdheun e kombin.

Një komb nuk mund të ketë gjë më të rëndësishme se arsimi.

Zhvillimi i një sistemi arsimor që të përmbushë detyrat për kombin, është procesi më serioz por jo i thjeshtë.

Kërkon përpjekje të mëdha.

Në 9 vite kleptokraci, të varfërimit të shqiptarëve, të shkretimit si kurrë më parë me këtë shpejtësi të kombit tonë, arsimi ka qenë nga viktimat madhore të këtij regjimi.

Sot, mësuesia nuk është më një profesion i preferuar, sirena alarmi të frikshme për një komb kjo.

Të rinjtë nuk e pëlqejnë sepse kjo qeveri e ka denigruar këtë qeveri e ka vendosur në piedestal vulgun e injorancën.

Ka partizuar arsimin, mësuesit paguhen më pak se kolegët e tyre në rajon”, ka deklaruar Berisha.