Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gra dhe vajza nga qyteti i Elbasanit kanë zhvilluar një marshim në Bulevardin e qytetit kundër dhunës me bazë gjinore.
Mesatarisht 3 gra denoncojnë çdo ditë dhunën në qarkun e Elbasanit.
Përfaqësuesja e Forumit të Gruas në një prononcim për Report Tv e vëndosi theksin tek dy momente, dhuna që frymëzon politika dhe trajtimi që i bën media nëpërmjet programeve të ndryshme.
“Sot është 8 marsi, Forumi i Gruas del në rrugë dhe nuk shkon në lokale për ta festuar. Në Qarkun e Elbasanit dhuna është duke u rritur në shifra të frikshme. Të gjithë bashkë duhet ta luftojmë këtë fenomen. Politika dhe media po gjenerojnë dhunën”, tha ajo
Adelina Kaleci është një nënë e cila ka përjetuar dhunën e bashkëshortit të saj. Ajo ndan me ne episode të dhunës dhe mos reagimin në kohë të institucioneve që kanë për detyrë ti’ mbrojnë gratë e dhunuara si ajo. Edhe Kimete Salli ka përjetuar nën lëkurë dhunën barbare të ish bashkëshortit. Shprehet e frikësuar se cfarë do të ndodh me të dhe fëmijën pasi ish bashkëshorti do të lërë qelinë.
Sakaq aktiviteti sensibilizues ne Elbasan pas përcjelljes së mesazheve në qendër vijoi me marshimin në bulevardin “Aqif Pasha” dhe u përmbyll pranë murales dedikuar dhunës ndaj grave.