Vendosni fjalën kyçe....

Tentoi të fuste 150 mijë euro e mbi 164 mijë paund në Portin e Durrësit, arrestohet shoferi i kamionit


150 mijë euro dhe 164 mijë e 735 paund britanik të padeklaruar janë sekuestruar në Portin e Durrësit në kuadër të operacionit “Shuma”.

Policia ka vënë në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte paratë dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri.

Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e poseduesit/sve të këtyre shumave të parave në euro dhe në paund.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”-njofton policia.