Vendosni fjalën kyçe....

Hetimet për Ahmetajn/ Prokurori i SPAK, Braho, jep dorëheqjen pas akuzave për fshehje provash


Prokurori i posaçëm, Klodian Braho është dorëhequr nga hetimi i dosjes 277 fraksion 1, njëri prej akteve të ndara prej tij në dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Dorëheqja është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar që SPAK ka ndarë këtë të premte, ku thotë se tashmë hetimet për këtë dosje janë marrë në dorë nga vetë drejtuesi i strukturës, Altin Dumani dhe prokurorja Enkeleda Millonaj.

Në të njëjtin njoftim, SPAK thotë se prokurori tjetër Eneid Nakuçi është bërë pjesë e dosjes pasi Klodian Braho e ka ndarë atë në katër akte dhe nuk ka kryer, sipas njoftimit, asnjëherë veprime hetimore për llogari të kësaj dosjeje. Si Braho, ashtu edhe Nakuçi janë kallëzuar se kanë fshehur provat që implikojnë Arben Ahmetajn te inceneratori i Elbasanit.

Provat e faturave që Klodian Zoto ka paguar ndër vite për pushimet e Arben Ahmetajt dhe mesazhi që tregon se Zoto është porositësi real i vilës ku SPAK ushtroi kontrolle mbrëmjen e së enjtes kanë qenë edhe në duart e dy prokurorëve Nakuçi e Braho, por urdhri për të ushtruar këto kontrolle u dha vetëm pasi dosja kaloi në duart e Dumanit dhe Millonajt.

Braho dhe Nakuçi nuk vepruan për muaj me radhë, ata ndanë dosjen në katër akte, por në asnjërin prej tyre, jo vetëm që Ahmetaj nuk përmendej, por as Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, që ai drejtonte në kohën e dhënies së koncesionit. Nga dëshmitë e dhëna nga anëtarët e tjerë të komisionit që shqyrtoi koncesionin pikërisht kjo ministri del që ka pasur rolin qendror në përcaktimin e procedurës së koncesionit me negociim pa shpallje, që vetë dy prokurorët Braho e Nakuçi thonë në dosje se është e paligjshme.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel