Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu gjatë një takimi me degën e PR për Tiranën theksoi se forca e tij politike do mbështesë kandidatët e opozitës në zgjedhjet lokale ndërsa do dalë e vetme me lista për Këshillat Bashkiakë.
Në këtë takim u diskutua për finalizimin e listës për këshilltarë të Partisë Republikane për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet e 14 Majit.
Mediu theskoi se është domosdoshmëri të kuptohet se këto zgjedhje janë mundësia për të hapur rrugën e ndryshimit politik për ti rikthyer pushtetin shqiptarëve në 14 Maj, për ta shkëputur atë nga kontrolli i Partisë Socialiste dhe korrupsioni.
“Situata në vend është shumë e rëndë, ekonomikisht dhe politikisht, nuk ka shtet nuk ka ligj nuk ka pushtet lokal, është vrarë besimi, kjo edhe për shkak të gabimeve që bëri opozita duke lënë parlamentin, e duke i dhënë kështu mundësinë Edi Ramës të ndryshonte kushtetutën dhe ligjin zgjedhor dhe të ndalojë koalicionet, po ashtu bojkoti i zgjedhjeve lokale ishte një veprim absurd duke i dhuruar pushtetin socialistëve.
Nisur nga këto gabime absolute duhet të reflektojmë, të lëmë mënjanë ndarjen dhe luftën, ti përgjigjemi kërkesës dhe nevojës së shqiptarëve nga Konispoli në Vermosh për të dalë vetëm me një kandidat opozitar për kryetar baahkie dhe ta mbështesim të gjithë së bashku”-tha Mediu.