Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj prezanton 10 projektet ikonike të 5 viteve të ardhshme në Tiranë


 

Gjatë prezantimit të Strategjisë së re 5-vjeçare të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar 10 projekte që pritet t’i shtohen kryeqytetit, duke filluar që me teatrin e ri kombëtar e deri tek ndërtimi i pallatit të ri të sportit “Asllan Rusi”.

Veliaj tha se këto projekte do të jenë imazhi i ri i Tiranës moderne.

Në 5 vitet e ardhshme duam të përfundojmë 10 projekte kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës. Projekti i parë: Teatri Kombëtar. Detyra jonë nuk është që t’iu pëlqejmë të gjithëve, detyra jonë është që t’i shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që deri dje në verë shkonin me peshqir e në dimër me batanije në Teatër, e të sigurohemi që projekti i Bjarke Ingels e kthen Tiranën në kryeqytetin e artit dhe të kulturës bashkëkohore në rajonin tonë. Projekti ynë i dytë kryesor është stadiumi i ri “Selman Stermasi”. Kemi filluar gjithë procedurat dhe dhe idetë e projektit. Si projekt i tretë i yni është Muzeu i Artit Modern, si në çdo qytet i madh dhe i rëndësishëm të botës. I kemi sot mundësitë, ashtu siç u transformua TOB-i, ashtu siç u transformua stadiumi, ashtu e kemi mundësinë të kemi një Muze të Artit Modern. Hapësira do të jetë tek Bulevardi i Ri,” u shpreh Veliaj.

Po ashtu, Kampusi i ri Universitar është një tjetër projekt i rëndësishëm, ku do fokusohet puna në 5 vitet e ardhshme.

“Projekti ynë i katërt ka të bëjë me Kampusin Universitar. Ne kemi mbaruar Kampusin Universitar te Universiteti Bujqësor, 8 godina fantastike të projektuara nga arkitekti Vinny Mass; e kemi dhënë vendimin aty, nuk do të kthehemi më mbrapsht. E njëjta gjë me godinat e Mjekësisë te “Farmacia 10”, e njëjta gjë tek “21-shi”, me godinat e Inxhinierisë, dhe në Qytetin Studenti. Jemi në fazën ku po projektohet Fakulteti i ri Juridik, fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Gjuhë Letërsisë dhe Fakulteti i Shkencave Sociale,” tha Veliaj.

Ndër projektet e tjera ai veçoi Zonën e Lirë të Zhvillimit Ekonomik të Tiranës.

 “Projekti më ambicioz është padyshim projekti ynë i pestë, Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës. Bëhet fjalë për hapësirën midis Kombinatit dhe Kasharit. Sapo kemi marrë licencën nga Kryeministri dhe Qeveria, që të jemi ne operatori i Zonës së Lirë Ekonomike. Besoj se do të jetë qendra më e madhe e punësimit, jo vetëm për Kombinatin dhe Kasharin, por për të gjithë ata në Tiranë që duan të punojnë në këto teknologji të reja. Ndërkohë, ka ardhur koha që të mendojmë për një Qendër të re të Konventave. Pallati i Kongreseve në 90% të vitit është i rezervuar. Kemi identifikuar një tjetër hapësirë te “Bulevardi i Ri”, përballë zonës ku duam të bëjmë Muzeun e Arteve Moderne, për të pasur një tjetër Qendër të Panaireve, Kongreseve, të Koncerteve e të Konventave. Duam gjithashtu të kemi një Qendër të Panaireve. Jemi duke parë disa hapësira në Farkë, pranë tregut Agroushqimor, sepse kemi një kërkesë të jashtëzakonshme për zhvillimin e panaireve në Tiranë,” u shpreh kryebashkiaku.

3 projektet e tjera që përmendi Veliaj janë: “Projekti ynë i tetë, që besoj do të jetë ikonik për Qytetin, ka të bëjë me Muzeun e Tiranës. Është hera e parë që bashkia blen një pronë private për t’ia kthyer publikut.

Projekti i parafundit është Kopshti Botanik. Do ta kthejmë në një hapësirë dinjitoze për Qytetin, ku t’i japim dhe një mundësi Universitetit, që ta shfrytëzojë për rritjen e kapacitetit. Duam të bëjmë të njëjtën gjë tek Kopshti Botanik. Mos na pengoni sepse do ta qajmë atë punë dhe do të jetë një hapësirë e jashtëzakonshme. Projekti i fundit do të jetë Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”. Pallati i Sportit ka qenë një hangar i avionëve të kohës së Italisë, kohës së fashizmit. Ka ardhur koha që Tirana të ketë një arenë të mirëfilltë për volejbollin dhe basketbollin,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

 

10 projektet:

 

1.Teatri Kombëtar

2.Stadiumi i ri “Selman Stermasi”

3.Një Muze i Artit Modern

4.Kampusi i ri Universitar

5.Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës

6.Qendra e re e Konventave

7.Qendra e Panaireve

8.Muzeu i Tiranës

9.Kopshti Botanik

10.Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”