Vendosni fjalën kyçe....

“PD zyrtare me seli të re” – Bardhi: Pas 14 Majit nis ristrukturimi i partisë


Deputeti i Partisë Demokratike gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë” për gazetaren Elona Meço tha se demokratët kanë shumë gjëra që i ndajnë, por selia nuk do të bëhet më një mollë sherri mes tyre, siç ndodhi në 8 janarin e vitit të kaluar.

Bardhi theksoi se PD zyrtare e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj nuk do të kthehet në selinë e njohur prej të gjithëve, përsa kohë grupimi i zotit Berisha do të jetë atje.

Ai shtoi se PD zyrtare është vendosur në një godinë private, pranë kryesisë së Kuvendit.

Në kushtet kur njëra palë nuk ka ndërmend të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit, ne nuk mund të përsërisim atë që bëri zoti Berisha në 8 Janar, të nxisim një luftë mes demokratëve. Kemi marrë masat për të marrë një godinë të re ku do të ushtrojë funksionet Partia Demokratike deri në momentin që zoti Berisha të vlerësojë se në një shtet ligjor vendimet e gjykatave duhet të respektohen, siç zbatuam ne një vendim gjykate, edhe pse nuk ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.” – u shpreh zoti Bardhi.

Ai konfirmoi se pas zgjedhjeve të 14 Majit, PD do të hyjë në një proces të thellë të ristrukturimit dhe riorganizimit, gjë që ai preferon ta shohë si proces të të gjithë demokratëve, të pandarë në grupime.

“Gjykoj që PD nuk duhet të jetë e ndarë në pjesë, por të gjithë bashkë duhet të bëjmë të mundur për të patur një Parti Demokratike jo vetëm me të gjithë anëtarët e saj, siç ka qenë në këto 32 vite, por edhe një parti që i hapet shoqërisë dhe thith sa më shumë individë për ta forcuar dhe për ta bërë alternativë qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshëm” – u shpreh Gazment Bardhi për emisionin “Pa Censurë”.