Presidenti kinez Xi Jinping po planifikon një udhëtim në Moskë për të zhvilluar bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe mund të arrijë javën e ardhshme, raportoi Reuters të hënën, duke cituar burime anonime.
As Kremlini dhe as Pekini nuk e kanë konfirmuar vizitën, megjithëse TASS raportoi në fund të janarit se Putin kishte ftuar udhëheqësin kinez në kryeqytetin rus. Wall Street Journal gjithashtu raportoi muajin e kaluar se Xi mund të bënte një udhëtim në Moskë në prill ose në fillim të majit.
Javën e kaluar, zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov deklaroi se Kremlini nuk do shpallte datën e një vizite të mundshme pasi nuk ishin konfirmuar detaje specifike.
“Deri më tani nuk kemi çfarë të raportojmë për këtë temë. Të gjitha vizitat tek ne nga mysafirë të huaj njoftohen në kohën e duhur”, tha Peskov për TASS.
Udhëtimi i mundshëm i Xi do përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve ruso-kineze, si dhe përparimin e bisedimeve shumëpalëshe të paqes për Ukrainën dhe nënvizimin e rëndësisë së mospërhapjes së armëve bërthamore, sipas Wall Street Journal.
Në ndryshim nga Perëndimi, Kina ka kundërshtuars të dënojë sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës dhe nuk ka vendosur sanksione ekonomike ndaj Moskës. Në vend të kësaj, Kina ka bërë thirrje vazhdimisht për një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Javën e kaluar, ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, argumentoi se luftimet midis Moskës dhe Kievit kishin arritur ‘një pikë kritike’ dhe mund të dilnin jashtë kontrollit nëse nuk fillon shpejt një proces paqeje.