Vendosni fjalën kyçe....

Rama në ceremoninë për Vjosën: 80 milionë dollarë për pastrimin e ujërave të zeza, mbrojmë lumin e fundit të egër në Evropë


Kryeministri Rama pohoi sot se Shqipëria ka 21 për qind të territorit sipërfaqe të mbrojtur e se objektivi i qeverisë së tij është ta çojë në 30 për qind.

Gjatë ceremonisë për prezantimin e Lumit Vjosa si Park Kombëtar, ai tha se tashmë duhet punuar për ta kthyer parkun në burim zhvillimi ekonomik, shoqëror e ekologjik të qendrushëm për vendin.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se do ketë një fond prej 80 milionë dollarësh për të shmangur derdhjen e ujërave të zeza në lumë.

“Shpresoj që të gjithë këta të mos ikin në drejtim të paditur pasi e garantuan që tigri nuk do bëhet mace, por të qëndrojnë këtu me ne për të vazhduar tani që këtë pasuri ta kthejmë në burim zhvillimi ekonomik, social dhe ekologjik të qëndrueshëm dhe në një model për të gjithë në Shqipëri dhe përtej. Sot Shqipëria ka 21% të territorit, e kemi gjetur me shumë pak kur morëm detyrën dhe çdo vit e kemi rritur sipërfaqen dhe objektivi ynë është ta çojmë në 30%. Objektiv ambicioz.

Ne sot, jemi krenar për shumë gjëra që kemi bërë në funksion të mjedisit dhe natyrës. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë sot me një moratorium absolut për gjuetinë. Vendosëm ta ndalojmë dhe tani kemi ripërtëritje të ndjeshme dh frymëzuese të faunës në gjithë territorin. Jemi në monitorim të pyjeve. Por kjo nuk mjafton, na duhet një tjetër reforme për menaxhimin e pyjeve. Për t’i kthyer në mirëqenie, për brezat që do të vijnë. Presim që ky park të jetë qendër e projekteve, të punimit shkencor, të studimeve dhe përpunimit. Janë 80 milionë dollarë që do vendosen në dispozicion të këtij parku që të gjitha bashkitë të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë.” – tha Rama.