Vendosni fjalën kyçe....

Berisha zbulon koalicionin për 14 majin, duke u shfaqur optimist: Besimi në fitore më i madh se çdo herë tjetër


Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot grupin e tij të deputetëve.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë, Berisha u shpreh entuziast për këtë fushatë, që sipas tij është turi më i zjarrtë i karrierës së tij politike.

Ai tha se opozita me mbështetësit e saj është në mobilizim të plotë për të ndryshuar Shqipërinë dhe të ardhmen e tyre.

“Një klimë e shkëlqyer është sot në mbarë vendin në mbështetje të opozitës. Ky është turi më i zjarrtë, më entuziast i të gjithë karrierës time politike. Dua t’u informoj juve se zjarri, entuziazmi, besimi në futore është më i madh se çdo herë tjetër. Demokratët dhe demokratët, qytetarët e thjeshtë janë në mobilizim të paparë për t’i dhënë Shqipërisë, vetes, të ardhmes së tyre, mbështetjen, ndryshimin që meritojnë. Kokat e gjarprit, kapot e Meduzës, midis dy termave, nuk ka asnjë dallim substancial në raport me krimin.”, tha Berisha.

Në limitet e afateve ligjore për të regjistruar koalicionet, opozita pritet të dorëzojë sot në KQZ marrëveshjen mes disa forcave politike që do të përbëjnë edhe koalicionin opozitar. Deri tani janë të paktën katër parti të kampit të djathtë që do të jenë pjesë e koalicionit ku do të futen edhe kandidatët e Primareve të Sali Berishës. Partia e Lirisë e Ilir Metës, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules, Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Partia Balli Kombëtar Demokrat i Artur Roshit do të jenë katër forcat politike, pa përjashtuar edhe parti të tjera që mund të bashkohen deri në mbrëmje, që do të përbëjnë koalicionin opozitar.

Ndërkohë që edhe Sali Berisha e ka konfirmuar koalicionin me Metën për zgjedhjet e 14 majit.

“Opozita finalizon në orët që vjen koalicionin e rëndësishme me të cilin i jep Edi Ramës dhe monizmit të tij goditjen fatale më 14 maj. Ai mbetet në koalicion vetëm me Alibashën dhe Lul Bravën. Por unë një gjë do u them demokratëve, se nuk ka zgjidhje më të gabuar sesa zgjidhja për t’u keqpërdorur si patericë e Ramës.”- tha Berisha.

“Bashkimi për Ndryshim”, është njëri prej varianteve që po diskutohet për tu quajtur koalicioni i djathtë, ndërkohë që në orët e pasdites do të mësohet edhe emri zyrtar.

Burimet bëjnë të ditur se partitë kanë rënë dakord që në zgjedhjet për kryetarin e bashkive të mbështesin kandidatin e dalë nga Primaret të organizuara nga ish kryeministri Berisha. Ndërkohë që në zgjedhjet për këshillat bashkiakë, partitë do të dalin me një listë të përbashkët ku pesha e secilës forcë politike do të jetë vendimtare në renditjen e kandidatëve, veçanërisht në pjesën fituese të listës