Vdekja e mistershme e vajzës keniane Xhoi Aoko ngre dyshime për personazhe me lidhje të rëndësishme emrat e të cilëve janë mbajtur të fshehtë.
Nëna e saj, zbulon për “Inside Story, një shoqëri të dyshimtë të vajzës me një biznesmen të fuqishëm shqiptar, një burrë në moshë të mesme. Xhoi ishte takuar me personin në fjalë të paktën dy herë në prani të shoqes tjetër Xhoi Brenda.
Personi i kishte kërkuar lidhje intime, por vajza nuk kishte pranuar sepse ai ishte burrë i martuar. Askush nuk di të thotë emrin e personit në fjalë. Në rrëfimin e saj, zonja Ruth Abongo, fokusohet kryesisht tek ish kolegu i vajzës, pra, shoferi i kazinosë për të cilin thotë se bënte skena të ndryshme.
Shoferi Barçi në dëshminë e tij në polici ka thënë se ata i kishin dhënë fund marrëdhënies së tyre romantike. Nëna e Joyt ka dëshmuar se Barçi e ka patur çelsin e banesës së Xhoit. Sipas saj, i riu kishte vazhduar ta kërkonte vajzën përmes shoqes së saj Xhoi Brenda. Ata ishin takuar dhe ajo i kishte shpjeguar se në Kenia nuk i ndjekin vajzat në këtë mënyrë.
“Për akuzën e vrasjes ka pasur reagime të forta nga familjarët që bazohen mbi dëshmitë e shoqjes së Joyt. Nuk janë gjetur prova bindëse për të dyshuarin”, u shpreh gazetarja Anila Hoxha.
“Kam komunikuar me Joyn dhe më thoshte se ky njeri është thjesht I sëmurë. Asnjë tjetër nuk kishtë marrëdhënie të tillë me Xhoin. Ai donte të kishte marrëdhënie me Joyn, por ajo e kishte refuzuar. Ai nuk e kuptonte, prandaj mendoj se ai nuk ishte në rregull. Ai duhet ta pranonte zgjedhjen e Xhoit.”u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.
Nëna e Joyt ka zbuluar gjithashtu se vajza tjetër e saj që jeotn në Kenia, i ka dërguar mesazh Emily duke i thënë “pse ma vrave motrën, ajo të donte ty”.
Emily ka mohuar çdo akuzë. Ajo ka sqaruar për motrën e Xhoit se shoferi e ka shoqëruar në Durrës dhe i ka kërkuar çelësat e apartamentit për ti bërë një surprise. Më tej, i ka thënë se mendonte që shoferi dhe Xhoi ishin të lidhur.
Por, ndryshe ka deklaruar para policisë duke dhënë deklaratë kontradiktore. Emily ka thënë në fakt, se shoferi ia ka marrë fshehurazi celsin e dhomës.
Inside Story u përpoq të kontaktonte me Emily-n dhe mikeshën tjetër të saj Xhoi Brenda. Emily nuk i është përgjigjur asnjëherë kërkesës sonë edhe pse duket që i ka marrë mesazhet tona.
Nëna Ruth dyshon se Emilyn dhe mikeshat e tjera të Xhoit i kanë instruktuar për çfarë duhet të flasin. Sipas saj, Emily i ka thënë se është detyruar nga një prej menaxherëve të kompanisë për të mos folur. Jo vetëm ajo por të gjithë punonjësit, sepse çështja po bëhej e madhe.
“Emily pasi u ngrit nga gjumi dhe u shqetësua për Xhoin telefonon shoferin. Pse këtë shofer? Ajo e dinte që Joy hapej me mua.Pse nuk më telefonoi mua, por shoferin? Telefoni dhe lap topi i Xhoit deri në 14 gusht ishin në Shtëpi. Kush i përdori? Komunikimet e Joyt ishin të kyçura në lap top deri në orën 4 pasdite ët datës 14 gusht 2022. Emily ishte e vemja në shtëpi. Çfarë ka bërë”, u shpreh Ruth Abongo, mamaja e Xhoit.
Nëna e 22 vjeçares keniane: Ja dy kolegët që dinë të vërtetën pë vdekjen e Xhoit
Zonja Abongo akuzon drejtpërdrejtë shtetasin Rodi Barçi, 32-vjeçarin që shërbente si shofer i kazinosë.
Me të riun, vajza dyshohet se ka pasur një raport intim. Sipas nënës së saj, i riu i cili është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, e përndiqte vajzën.
Mjaft i dyshimte duket edhe qëndrimi i shoqes së saj Emily, për të cilën nëna Ruth dyshon se fsheh diçka.
Emily Mutua, është vajza tjetër keniane e cila ka bërë kallëzimin e parë për shoqen e humbur. Por, ajo nuk ka njoftuar menjëherë policinë sapo ka vënë re një skenë të dyshimtë në rezidencë. Ajo ka ngrënë, ka fjetur, është zgjuar dhe pastaj është kujtuar të njoftoj eprorët e kompanisë ku punonte dhe policinë.
Vajzat kishin komunikuar përmes whats up deri mbrëmjen e 13 gushtit 2022, 13 orë përpara se Joice Ayoko të gjendej e sakatuar. Në mëngjes kur Emily hyn në dhomë, vëren gjëra të pazakonta. Krevati i Joyt që ishte ngjitur me të sajin ishte I rrëmujshëm, sikur dikush kishte luftuar aty.
Ushqimi i shpërndarë gjithandej. Nëse vajza ishte hedhur nga banesa për tu vetëvrarë, si ka mundësi që dritaret banesës ishin të gjitha të mbyllura.
“Kur ti qëndron me një shoqe, ti e mban fort. Si vjen në shtëpi në mëngjes, ato punonin bashkë, ndanin të njëjtën shtëpi, Ti vjen në shtëpi, dera është e hapur, e gjen rrëmujë shtëpinë dhe ti bie për të fjetur pa u shqetësuar? Krevatet e tyre ishin ngjitur” u shpreh Ruth Agongo, mamaja e Xhoit.
Inside Story shkoi te Flouer Residence për të parë vendngjarjen dhe për të pasur komunikime të mundshme me administratorët aty apo fqinjët e lagjes.
Dera e rezidencës ishte hermetike. Qëndronte gjatë gjithë kohës e mbyllur. E pazakontë për një hotel, a hotel ku recepsioni është i hapur për të gjithë. Dera hapej sa herë kishte një bujtës që hynte apo dilte në rezidencë.
E pazakontë ishte edhe mungesa e një numri telefoni në internet. Nëse ti dëshiron të rezervosh një dhomë, mund ta bësh vetëm përmes faqes së rezidencës përmes e-mailit.
Madje pas ngjarjes, kompanitë si booking.com e kanë ndërprerë bashkëpunimin me këtë rezidencë. Po ashtu rezidenca kishte instaluar kamera, të cilat nuk ishin përpara dhe gjatë ndodhjes së krimit më 13 gusht 2022.
Ne i ramë disa herë ziles së derës dhe nuk na u përgjigj njeri. Mandej në një moment doli një punonjës prej derës I cili u tregua I ashpër me grupin e xhirimit.
Një nga fqinjët, në të djathtë të vilës së pabanuar ku Xhoi u gjend pa ndjenja, u përgjigj se atë natë kishte dëgjuar sherr, por kaq. Ai tha se nuk donte të përzihej përderisa edhe policia nuk kishte mbërritur në kohë.
Fqinjët e tjerë nuk pranuan të prononcoheshin. Disa adoleshentë që dukeshin që ishin në dijeni thanë se vajza keniane ishte e dhunuar keq, gjysmë lakuriq dhe me tuta të shkurtra dhe kanatiere. Këto informacione, konfirmohen edhe nga ajo që kishte thënë shtetasja gjeorgjiane para oficerit të policisë gjyqësore.
Në vendngjarje ne takuam një djalë rreth të 30-ave që pretendon se ka qenë i pari që ka dhënë ndihmën. Ai ka njoftuar ambulancën e cila sipas të riut ka mbërritur 20 minuta pasi është njoftuar. Kurse policia nuk mbërriti edhe për shumë kohë pasi ishte larguar ambulanca.
Në dosjen hetimore thuhej se në vendngjarje ishte gjetur një shishe alkooli dhe shiringë, prova që mund të mbështesnin pistën e vetëvrasjes. Por, çuditërisht, dëshmitari që mbërriti aty para policisë mohon ti ketë parë këto sende. I riu thotë se nuk kishte vënë re gjak, por vajza ishte e sakatuar dhe rënkonte.
A u përdhunua vajza keniane para se të gjendej pa ndjenja?
Në dëshminë e saj znj. Ruth tregon se Emily ka telefonuar Joy Brendën për ti marrë fjalëkalimet e telefonit dhe laptopit.
Gazetarja e kronikës së zezë Anila Hoxha në një bisedë që ka patur me një punonjëse të kazinosë ku ka punuar Xhoi, është shprehur se në vendin e punës flitej që Xhoi është përdhunuar.
“E intervistuara më tha se Xhoi ditët e fundit kishte lëvizur për në jug dhe ishte abuzuar përpara se të ndodhte ngjarja. Abuzuar seksualisht, por e pa vërtetuar. Dëshmia e një punonjëseje. Tha se në kazino ishin të gjithë të trembur dhe lojtarët janë pakësuar. Grupi i hetimit nuk po bën veprimet e duhura”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
Çështja e dhunimit të Xhoy Ayoko është regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë si vepër penale “Plagosje e rënde me dashje”.
Regjistrimi i çështjes sipas përgjigjes që prokuroria i ka dhënë Inside Storyt mban datën 22 shtator 2022. Plot 1 muaj e 9 ditë pasi ngjarja kishte ndodhur.
“Çështja është ende në fazën e hetimeve dhe po ndiqet nga prokuror Arben Agovi. Informacion më i detajuar në lidhje me kete çështje nuk mund t’u vihet në dispozicion për shkak të respektimit të sekretit hetimor.”
Si e neglizhuan organet hetimore çështjen e kenianes Xhoi
Inside Story disponon dokumente zyrtare të cilat vënë në pikëpyetje transparencën dhe punën e organeve të drejtësisë.
Mbi të cilat mund të hedhësh dyshime se kanë dashur të fshehin krimin. Pas një muaji e 9 ditë që çështja është regjistruar, provat janë prishur e për rrjedhojë ato nuk janë më të vlefshme. Çfarë po përpiqet të fshehin me këtë ngjarje…?!
“Është ngjarje e rëndë për disa arsye; u mbajt e fshehtë për disa kohë. Nuk do ishte njësoj sjellja e policisë me një shtetase të BE-së. Rasti ka neglizhencë nga organet ligj zbatuese”, u shpreh eksperti i kriminalistikës, Artan Rexhepi.
“Një mos vlerësim i duhur i situatës. Jo vetëm me Xhoin edhe në raste të tjera. Është si rasti i statistikave. Nuk pyet se është njeri, por janë numra. Policia ka bërë veprime mekanike. Nuk e kanë ndjekur ngjarjen më pas. Nuk kanë pyetur, nuk kanë marrë kamerat e sigurisë”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.
Sipas dokumenteve që Inside Story disponon, 22-vjeçarja keniane është dërguar si fillim në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në datën 14 gusht 2022 rreth orës 14:00, në urgjencën e sëmundjeve të brendshme.
Pra, 2 orë pasi ajo ishte gjetur. Inside Story disponon edhe ekspertizën që i është bërë Joy Ayoko, në të cilën thuhet se vajza është intubuar. Asaj iu evidentua Politraumë dhe në këtë gjendje, citon dokumenti duhet të transferohet tek spitali i Traumës.
Rreth orës 19:55 të datës 14 gusht, 22 vjeçarja keniane është dërguar e intubuar në spitalin e Traumës në pavionin e Kirurgjisë. Por, askush nuk sqaron nëse vajzës i është bërë ekspertizë mjeko-ligjore lidhur me dyshimet se ajo është përdhunuar.
“Prokuroja më ka thënë që e ka bërë ekspertizën te Nënë Tereza por nuk mi japin përgjigjet sepse thanë që unë e nxjerr në media”, u shpreh mamaja e Xhoit, Ruth Abongo.
Avokati: Veprimet hetimore për vdekjen e 22 -vjeçares të vonuara
Vonesa e organeve hetimore vihet re në të gjitha veprimet procedurale të kryera.
Rezulton se edhe marrja e shenjave të gishtave të vajzës, ka qenë mjaft e vonuar, vetëm pasi çështja u bë publike.
“Disa veprime hetimore që mund të ishin kryer më herët, janë kryer me vonesë nga ana e organit të akuzës siç ishte marrja e gjurmëve papilare dhe materialet për të bërë analizën e ADN-së krahasuese. Nuk i jap dot shpjegim pse këto veprime në këtë moment. Ka pasur mundësi të kryhen në një moment më të mëparshëm. Por duke qenë se çështja është në hetim nuk mund të paragjykojmë vendimmarrjen dhe veprimet e tyre. Duke parë dinamikën e ngjarjes nga dokumentet të vëna në dispozicion nga organet shtetërore aty ka një ngjarje të rëndë duke marrë parasysh dëmtimet nuk japim dot konkluzion konkret” u shpreh avokati”, tha Henri Bici.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Top Channel