Serbia dhe Shqipëria janë dy shtetet që kanë shënuar rimëkëmbjen më të shpejtë të turizmit, në raport me para krizën e pandemisë, sipas të dhënave të Eurostat, që ka publikuar net qëndrimet në akomodimet turistike për vendet e Europës për vitin 2022.
Serbia renditet e para në Europë, që ka shënuar një rritje të net qëndrimeve me 21.8% në krahasim me vitin 2019, përpara se të fillonte pandemia, që i dha një goditje të rëndë këtij sektori.
Shqipëria renditet e dyta. Sipas Eurostat, në Shqipëri u regjistruan gjithsej 3.8 milionë net qëndrime në akomodimet turistike në 2022-n, me një rritje prej 17.6% në raport me 2019-n. Ndërsa në krahasim me 2021-n, rritja e net qëndrimeve në Shqipëri është rreth 20%.
Në Europë janë vetëm 6 shtete, që panë rritje në raport me para pandeminë (Serbia, Shqipëria, Danimarka, Islanda, Holanda, Norvegjia, Belgjika). Në rajon, Mali i Zi ishte ende 7.8% niveleve të parakrizës dhe Maqedonia e Veriut me ecurinë më negative, me -20.7% (të dhënat për Kosovën dhe Bosnjën nuk janë ende të plota).
Europa
Sipas Eurostat, pas rënies së përjetuar për shkak të pandemisë COVID-19, numri total i netëve të kaluara në akomodimet turistike të BE-së arriti në 2.73 miliardë në 2022. Kjo shifër ishte ende 5% më e ulët në krahasim me numrin e netëve të kaluara në 2019 (2.88 miliardë netë). Krahasuar me vitin 2021 (1.83 miliardë netë), netët e kaluara u rritën me 49% në 2022.
Gjatë vitit 2022, shifrat e turizmit në të gjithë muajt ishin më të larta se muajt korrespondues të vitit 2021, ku tremujori i katërt i vitit 2022 regjistroi 472 milionë netë, duke shënuar një rënie prej vetëm 2% krahasuar me tremujorin e katërt para pandemisë të vitit 2019 (483 milionë netë).
Në fillim të vitit 2022, nivelet e turizmit ishin shumë më të ulëta se të njëjtët muaj të vitit 2019.
Megjithatë, duke filluar nga maji 2022, diferenca u bë më pak e dukshme. Për pjesën e mbetur të vitit, netët e kaluara në akomodim turistik ishin më pak se 5% më të ulëta se në vitin 2019, dhe në korrik, gusht, shtator dhe tetor, ato ishin më pak se 1% më të ulëta se të njëjtët muaj të 2019-ës.
Të dhënat për vitin 2022 tregojnë gjithashtu se netët e kaluara nga turistët vendas tejkaluan nivelet e vitit 2019 (1.53 miliardë netë në 2022 krahasuar me 1.51 miliardë netë në 2019; +1%). Nga ana tjetër, netët e kaluara nga turistët po rikuperohen më gradualisht (1.20 miliardë netë në 2022 krahasuar me 1.36 miliardë në 2019; -12%).
Ndër vendet e BE-së, Letonia kishte ecurinë më negative për sa i përket netëve të kaluara nga turistët ndërkombëtarë (-45% në 2022 krahasuar me 2019), e ndjekur nga Sllovakia (-40%) dhe Lituania (-37%).
Danimarka ishte e vetmja anëtare e BE-së që regjistroi një rritje në netët e kaluara nga turistët ndërkombëtarë (+4%), ndërsa Kroacia (-2%) dhe Luksemburgu (-3%) u afruan niveleve të 2019-s.
Nga ana tjetër, Malta shënoi rritjen më të lartë në netët e kaluara nga turistët vendas (+39% në 2022 krahasuar me 2019), e ndjekur nga Qiproja (+35%) dhe Sllovenia (+25%).
Rënia më e madhe në netët e kaluara nga turistët vendas u regjistruan në Sllovaki (-22%), Rumani (-15%) dhe Hungari (-13%), të cilat gjithashtu shënuan ulje mjaft të mëdha në netët e kaluara nga turistët ndërkombëtarë (të paktën -30%).
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor