Vendosni fjalën kyçe....

“Në çdo vend tjetër do ishte shkarkuar në çast për deklaratat” – Zhupa interpelancë me ministren Margariti


Deputetja e PD-së Ina Zhupa tha sot në seanca se ministrja e Kulturës Elva Margariti duhet të ishte shkarkuar lidhur me deklaratat e saj të mëhershme duke theksuar se të gjitha planet e saj janë të lidhura me koncesionet.

Ajo e kishte thirrur Margaritin në interpelancë duke e akuzuar se po shkatërron trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

Zhupa tha se në çdo vend tjetër Margariti do ishte shkarkuar në çast lidhur me deklaratat e saj.

“Koncepti i ministres është që duhet t’i mbulojmë dhe të ndërtojmë pallate se kemi nevojë për të tjera komforte në një vend tjetër do të ishte shkarkuar në sekondë. Kjo jo vetëm vazhdon të jetë ministre Kulture por planet e saj i ka vetëm të lidhura me koncesionet, i vetmi program që ka për zhvillimin e trashëgimisë kulturore, plani i vetëm është koncesioni. Reforma që do të bëjë zonja Margariti është që trashëgiminë kulturore t’ia japësh privatit.

Nëse duam të fillojmë me Tiranën  mjafton të shikoni atë sheshin bosh te shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, ministrja foli dhe lavdëroi Piramidën por jo Teatrin Kombëtar atje ku kishin dhënë të gjithë kontributin e vet, por kur vjen puna për të ruajtur gjërat e diktaturës ato janë të rëndësishme. BE ka një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore, e ka cilësuar Shqipërinë si vend me rrezikshmëri të lartë për shkatërrimin e monumenteve kulturore duke u vënë me pikë të kuqe. Kjo është Shqipëria e shkatërrimit të identiteti dhe trashëgimisë kulturore, nëse ikin shqiptarët dhe vijnë algjerianet të mos kemi problem se ju ia keni shkatërruar vendin, kjo është vetëm maja e ajsbergut e asaj që ju keni bërë.” –tha Zhupa.