Vendosni fjalën kyçe....

Adriatik Doçi: Pse Belindi nuk përmend kontratat e Frangajt dhe Hysenbelliut me inceneratorët


Gazetari i Report Tv, Adriatik Doçi i ka quajtur abuzime deklaratat nga kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi se televizioni i drejtuar nga Carlo Bollino ka marrë para nga kompanitë e inceneratorëve duke anashkaluar dhe televizionet e tjera si TV Klan (Aleksandër Frangaj) e News 24 e Fax News (Irfan Hysenbelliu) që kanë përfituar para nga inceneratorët.

Doçi thotë më tej se Këlliçi po mbështetet nga një ministër i qeverisë për llogari të luftës brenda pushtetit.

Më tej gazetari e pyet Këlliçin nëse Arben Ahmetaj po e financon fushatën e tij me paratë e inceneratorëve.

Belind Këlliçi është një kandidat unik për Bashkinë e Tiranës. Si përfaqësues i nongratave pa vulë, Këlliçi nuk është thjeshtë dhëndër tek pushteti (fakt për të cilin nuk mund të fajësohet), por mbështetet dhe fryhet nga një ministër i qeverisë, për llogari të luftës së ftohtë për terren në kampin e pushtetit. Pra, një lojë brenda pushtetit.

Natyrisht Erion Veliaj nuk ka rival për mandatin e tretë në krye të Bashkinë e Tiranës.

I vetmi kuriozitet i kësaj gare është nëse Këlliçi do të marrë apo jo sa 70 % të votave të Halim Kosovës.

Duke qenë pjesë e Report Tv, e ndiej si detyrim moral të them dy fjalë mbi pseudo denoncimin komik të Këlliçit në Kuvend.

Një kompani private kërkon një shërbim me kosto 10 mijë euro tek një kompani tjetër private.

Si mundet të përdoret mandati i deputetit, foltorja dhe koha parlamentare për të komentuar një raport kontraktual mes dy subjekteve private?!

Pse Këlliçi nuk përmend edhe Tv Klan (Aleksandër Frangaj), Neës 24, Fax Web (Irfan Hysenbelliu) etj., që kanë pasur kontrata me kompaninë e inceneratorëve?

Çfarë lidhje kanë mediat Këlliç nëse me çështjen e inceneratorëve është abuzuar?

Mediat i thanë Arben Ahmetajt të bënte pushime me paratë e Klodian Zotos dhe të merrte një vilë dhuratë nga Zoto në këmbim të kopsitjes së letrave për inceneratorët?

Dhe meqë ra fjala, a po financon Arben Ahmetaj fushatën tënde z. Këlliçi me paratë e korrupsionit me inceneratorët, privatizimet, rindërtimin dhe afera të tjera me fondet dhe pasuritë publike?!

Dhe së fundmi, z. Këlliçi, Report Tv nuk është gazeta e Fahriut. Report Tv është një media serioze dhe profesionale, e cila merret si evidencë nga DASH për të shpallur non grata politikanët e korruptuar”-shkruan gazetari.

Ndërkohë Këlliçi nga foltorja e Kuvendit publikoi një faturë dhe një email komunikimi mes medias Report Tv dhe kompanisë të inceneratorëve për një pagesë në vitin 2021, duke akuzuar se në këtë formë kontrollohen mediat në Shqipëri.

Ka një faturë për Report TV që ka kërkuar buxhet shtesë për fushatën në vitin 2021. Ka qenë fushata e zgjedhjeve të përgjithshme, kush kërkonte buxhet shtesë për këtë. Mbrapa është Erion Veliaj, ai ka qenë drejtues politik në Tiranë. Përgjigja nga Klodian Zoto ka qenë vetëm PO. Kjo PO-ja është fatura këtu vetëm 10 mijë euro që Erion Veliaj përmes inceneratorit ja paguan Bolinos. Ky është shembull sesi mediat në vend paguhen me taksat e qytetarëve dhe se si kontrollohet media në vend-deklaroi Këlliçi.