Vendosni fjalën kyçe....

Berisha prezanton kandidatin për Vlorën Hysni Sharra: Më 14 maj t’i presim biletën Edi Ramës


Ish-kryeministri Berisha ka prezantuar pasditen e sotme kandidatin e koalicionit Shtëpia e Lirisë për zgjedhjet e 14 majit, Hysni Sharra.

Në fjalën e tij para mbështetësve të opozitës, Berisha tha se Vlora e Shqipëria kanë nevojë sot për t’u dalë Zot më shumë se kurrë.

Ai shtoi se Vlora e mbarë vendi po zbrazen ditë pas dite dhe se largimi i shqiptarëe nga vendi duhet ndalur me çdo kusht.

“Sot Vlora dhe Shqipëria kanë nevojë më shumë se kurrë për t’i dalë Zot. Kam ardhur sot tek ju me bindjen më të thellë se të gjithë ne, me një brengë të thellë shohim sesi Vlora pakësohet çdo ditë para syve tanë. Sesi Vlora, kjo mrekulli e natyrës, trevë e njerëzve të fortë, trima, braktiset çdo javë nga banorët e saj. Po këtë fat ka Shqipëria. Në 8 vite, 40% e vlonjatëve janë larguar, 35% e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu, çfarë do mbetet në vitet e ardhshme? Cila do jetë përgjegjësia jonë?

A jemi të varfër si në vitin 1992? Jo, jemi shumë larg. Sot kemi një varfëri në shtim, që tremb, që rritet. Zgjedhjet e 14 majit janë më të rëndësishmet pas atyre të vitit 1992. Më 14 maj të largojmë monizmin e dytë t’i  presim biletën Edi Ramës që është dëshmuar se nuk ka parim, ligj, dinjitet. Ai është angazhuar në një luftë të pashembullt ndaj opozitës, kontraktoi ish-kryezbuluesin e SHBA-së, ambasadorë, deputetë, po ja ku jemi, të pamposhtur sepse e pamposhtur është kauza jonë, ajo që mbrojmë. Ne do fitojmë. Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria.” – tha Berisha.