Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama për vjedhje me ndërtimin e rrugëve në vend.
Teksa prezantoi kandidatin e opozitës për zgjedhjet e 14 majit, Hysni Sharra, ai tha se kreu i qeverisë i ndërton rrugët fushore me 24 milionë euro kilometrin, duke abuzuar me lekët e taksapaguesve shqiptarë.
“Kjo rrugë që keni ju, nga hyrja e Vlorës gjer në Levan, me gjithë urat mbi Vjosë është ndërtuar me 2.3 millionë euro kilometri, me para të bankave europiane. Sa e ndërton rrugën në fushë Edi Rama, 24 milionë euro kilometri. Greqia po ndërton autostradën Janinë-Kakavijë me 4 milionë euro kilometrin, Edi Rama po ndërton rrugët anësore Lekaj-Fier, me 7.2 milionë euro kilometri. Por këto janë para tuaja, që merren nga kafshata juaj, djersa juaj, e fermerëve, e punonjësve edhe e atyre që nuk punojmë se të gjithë paguajmë TVSH-në në ato që blejmë. Atëherë a mund të ecim ne në këtë rrugë të përgjumur? Jo kurrë, është në detyrimin tone.” – tha Berisha.
Ai shtoi më tej se Rama po grabit edhe me ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Sipas Berishës, ndërtimi i tunelit përjashton Llogaranë nga turistët ndërsa ka zgjedhur tunelin që kushton më shumë e ku sipas tij, vidhet më shumë.
“Vjen në Vlorë, ky sheshi këtu nuk është vetëm i Vlorës por i mbarë kombit. Ky vjen pa pyetur njeri. Pa asnjë konsultë me ju, pa asnjë konsultë mbarëkombëtare Shkatërron sheshin. Ndërton një objekt që duket si kasaphanë kuajsh. E gjeti ky. Shkon shkatërron sheshin që ishte simbol i qytetit. Ia lidhi sytë Llogarasë me tunelin. Por Vlora dhe Shqipëria pamje më magjepsëse se nga Qafë Llogaraja nuk ka. Më erdhën mua të bëjnë tunelin. Jo i thashë Llogarasë nuk ia lidh sytë unë. Kushdo të vijë këtu të dalë njëherë të shohë sa bukur është. Ky shkoi zgjidhi tunelin që vjedh më shumë, tunelin 7 km. Ka kushtuar pothuaj dyfishi i tunelit të Kalimashit. Se ndan paratë me kompaninë.” – shtoi Berisha.