Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada e Vatikanit në Nikaragua mbyllet, pas akuzave të papës për qeverinë e vendit si ‘diktaturë e vrazhdë’


 

Vatikani ka mbyllur misionin e tij diplomatik në Nikaragua, raportoi të shtunën portali Vatican News, në një mosmarrëveshje në rritje midis Kishës Katolike dhe vendit të Amerikës Qendrore, sipas DW.

Marrëdhëniet dypalëshe ishin përkeqësuar më tej javën e kaluar kur Papa Françesku në një intervistë iu referua qeverisë së presidentit socialist Daniel Ortega si një diktaturë.

Portali tha se diplomati i Vatikanit, Imzot Marcel Diouf, kishte udhëtuar të premten për në Kosta Rika.

Qeveria e Ortega-s, për vite me radhë, ka vënë në shënjestër Kishën Katolike pasi disa udhëheqës të kishës u dhanë strehim protestuesve antiqeveritar në pronat e tyre.

Përgjigja u nxit nga shtypja e dhunshme e protestuesve anti-qeveritare nga autoritetet e Nikaraguas që nga viti 2018, ku u vranë shumë anëtarë të opozitës.

Përveç ndalimit të protestave të opozitës, Ortega ka ndaluar procesionet tradicionale në rrugë të organizuara përpara Javës së Shenjtë dhe Pashkëve.

Kisha është përpjekur gjithashtu të veprojë si ndërmjetëse mes qeverisë dhe opozitës politike.

Ortega i ka cilësuar përfaqësuesit e kishës si terroristë që kërkojnë ta rrëzojnë atë, duke bërë që dhjetëra priftërinj të ikin jashtë vendit për të shmangur arrestimin.

Një peshkop, Rolando Alvarez, u dënua me 26 vjet burg në shkurt pasi u akuzua për mosbindje, cenim të integritetit kombëtar dhe vepra të tjera.

Alvarez refuzoi të hipte në një aeroplan që fluturoi 222 disidentë dhe priftërinj për në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Atij gjithashtu iu hoq shtetësia Nikaraguane.

Françesku ka qëndruar kryesisht jashtë konfliktit, por javën e kaluar ai iu referua qeverisë së Ortegës si një “diktaturë e vrazhdë” e krahasueshme me atë të Hitlerit, e udhëhequr nga një president “i pabalancuar”. Papa po i përgjigjej dënimit të Alcarez.

Si reagim, qeveria propozoi pezullimin e marrëdhënieve me Selinë e Shenjtë.

Vitin e kaluar, ajo e detyroi ambasadorin papal në atë kohë të largohej nga vendi.