Vendosni fjalën kyçe....

Mbreti saudit fton presidentin iranian në Riad


Mbreti Salman i Arabisë Saudite ka ftuar presidentin iranian Ebrahim Raisi në një takim në Riad, tha të dielën një punonjës i zyrës së Raisi-t.

Po kështu po  planifikohet edhe një takim mess ministrave të Jashtëm të dy vendeve, pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kina rivendosi marrëdhëniet diplomatike pas një përçarjeje shtatëvjeçare.

Zyrtari i kabinetit të presidentit, Mohammad Jamshidi, shkroi në Twitter të dielën: “Duke përshëndetur këtë ftesë, presidenti theksoi gatishmërinë e Iranit për të forcuar bashkëpunimin.”

Në një postim vijues në Twitter në anglisht, Jamshidi deklaroi se Salman i referohej Arabisë Saudite dhe Iranit si ‘vende vëllazërore’ në letrën e tij.

Marrëdhëniet midis mbretërisë sunite dhe republikës shiite u prishën në vitin 2016, pasi protestuesit iranianë sulmuan konsullatat saudite pas ekzekutimit nga Riadi të një dijetari shiit.

Që atëherë, ata kanë mbështetur palët kundërshtare në luftërat civile në Jemen dhe Siri, me Iranin  që mbështet lëvizjen Hezbollah në Liban dhe Arabinë Saudite që mbështet Izraelin kundër këtij grupi, të cilin e konsideron një organizatë terroriste.

Megjithatë, Arabia Saudite dhe Irani njoftuan javën e kaluar se do rivendosin lidhjet diplomatike dhe do angazhohen për ‘mosndërhyrje’ në punët e brendshme të njëri-tjetrit, në një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga presidenti kinez Xi Jinping.

Që kur u njoftua marrëveshja e ndërmjetësuar nga Kina, përgatitjet janë duke u zhvilluar për të rihapur ambasadat në Riad dhe Teheran, tha ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian për mediat shtetërore të Teheranit të dielën. Amirabdollahian tha se do takohet me homologun e tij saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, në të ardhmen e afërt, pa dhënë hollësi të mëtejshme.