Vendosni fjalën kyçe....

“S’do e  lejojmë anarkinë” – Netanyahu i kërkon shefit ushtarak të frenojë protestën e rezervistëve të ushtrisë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i kërkoi shefit të shtabit të ushtrisë të dielën të përmbajë një valë protestash nga brenda radhëve mbi një plan të diskutueshëm të qeverisë për të reformuar gjyqësorin.

Vërejtjet e Netanyahut vijnë pasi Izraeli është përfshirë në një krizë të madhe që ka dërguar dhjetëra mijëra njerëz në rrugë duke protestuar çdo javë për dy muajt e fundit.

Ndarja mbi planet e Netanyahut për të ndryshuar sistemin ligjor nuk e ka kursyer ushtrinë e vendit, institucionin e saj më të besuar, ku shumë rezervistë janë zotuar të mos paraqiten në detyrë.

Duke filluar nga e diela, më shumë se 700 oficerë elitë nga Forcat Ajrore, Forcat Speciale dhe Mossad thanë se do ndalonin së paraqituri vullnetarisht në detyrë. Netanyahu ka hedhur poshtë një plan kompromisi të propozuar nga presidenti i vendit që synon të qetësojë krizën.

Ai nuk përmendi arritjen e një marrëveshjeje me kundërshtarët gjatë komenteve në kabinetin e tij, përkundrazi tha se nuk do e pranonte ‘anarkinë’, duke theksuar kërkesat që shefat e tij të sigurimit të frenojnë bllokimet e rrugëve nga protestuesit, nxitjen kundër tij dhe ministrave të tij dhe kundërshtimin për të shërbyer nga një numër në rritje rezervistësh.

“Pres nga shefi i shtabit ushtarak dhe krerët e degëve të shërbimeve të sigurisë që të luftojnë në mënyrë agresive kundërshtimin për të shërbyer. Nuk ka vend për kundërshtim për të shërbyer në diskursin publik.” – tha ai.

“Një shtet që dëshiron të ekzistojë nuk mund të tolerojë dukuri të tilla dhe ne nuk do tolerojmë këtë.”

Ushtria nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm në lidhje me deklaratat e Netanyahut, shkruan AP.

Shefi i shtabit të ushtrisë, Gjenerallejtënant Herzl Halevi, thuhet se e ka paralajmëruar Netanyahun se protesta e rezervistëve rrezikon të dëmtojë aftësitë e ushtrisë. Ai është zotuar të sigurohet që të mos ndodhë dhe ta mbajë ushtrinë jashtë debatit publik për rishikimin e sistemit të drejtësisë.

Netanyahu tha të dielën se ndryshimet ligjore do kryheshin me përgjegjësi duke mbrojtur të drejtat themelore të të gjithë izraelitëve. Qeveria e tij, më e djathta e vendit, thotë se rishikimi ka për qëllim të korrigjojë një çekuilibër që u ka dhënë gjykatave shumë pushtet dhe i ka penguar ligjvënësit të zbatojnë vullnetin e publikut votues.

Kritikët thonë se kjo do të përmbysë sistemin e  brishtë të ‘kontrollit e ekuilibrit’ të Izraelit dhe do ta rrëshqasë vendin drejt autoritarizmit. Ata thonë gjithashtu se kjo mund t’i japë Netanyahut një mundësi për të shmangur dënimin në gjyqin e tij për korrupsion.