Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Problemet e transportit urban në Tiranë zgjidhen me paratë e inceneratorëve


Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi zhvilloi një takim të rinj nga zona e Devollit, të cilët banojnë në Tiranë.

Një nga shqetësimet e ngritura nga studentët, ishte çështja e transportit urban në Tiranë. Për këtë problem, Belind Këlliçi u shpreh se për zgjidhjen e transportit urban në kryeqytet, mjaftojnë paratë që aktualisht shkojnë për trajtimin e mbetjeve urbane në Sharrë, ku nuk ekziston inceneratori.

“E dini t’ua them me shifra se sa kushton trajtimi dhe djegia e plehrave, që nuk ndodh. Pra paguan një shërbim që nuk ndodh. është 14 milionë euro në vit, është 1.3 milion euro në muaj. Mjaftojnë këto lekë që të zgjidhet e gjithë problematika e transportit urban në Tiranë”-u shpreh para studentëve Belind Këlliçi.

Këlliçi deklaroi se gara për 14 majin nuk është as për flamur dhe as për logo, por për të ardhmen e vendit. “Nuk luhet këtu çështja politike, këtu luhet e ardhmja e vendit tonë. Nuk është aspak çështje partie, logoje, flamuri etj, është çështje e të ardhmes së vendit. A do vendosim të rrimë këtu, a do vendosim ta ndryshojmë, apo do vendosim të ikim”, -tha Këlliçi.

Duke e ngritur largimin e të rinjve si shqetësim kryesor gjatë bashkëbisedimit, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës tha se me ritmet aktuale të largimit të të rinjve, shteti do të shkojë në faliment. “Kanë ndryshuar shumë situatat në Shqipëri gjatë këtyre 8 viteve. Janë rikthyer gomonet. Kanë ikur miqtë tanë. Nëse vazhdojmë të ikim me këto ritme, kush do e çojë para këtë vend, bie, falimenton shteti, se nuk ka më krah pune”,-tha ndër të tjera Belind Këlliçi.

Kandidati opozitës për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi preku edhe disa probleme thelbësore që shqetësojnë qytetarë e Tiranës dhe të rinjtë. Këlliçi u shpreh se qytetarët e Tiranës e paguajnë tre herë ujin, por ai nuk pihet, ndërsa bashkë me faturën e ujit paguajnë tarifën e arsimit, e cila nuk është përkthyer në investime për shkolla dhe çerdhe, duke sjellë si shembull zonën e Astirit.

“Paguajmë tre herë për ujin: njëherë faturën për UKT, një herë e paguajmë duke e blerë në markete dhe një herë për pompën. Por tek ajo fatura e ujit paguajmë një taks antikushtetues që është për shkolla. 42 milionë euro kanë paguar qytetarët në Tiranë dhe janë bërë 17 shkolla, të cilat bëhen disa herë më shtrenjtë se në BE”, -tha Këlliçi.

Në takim me studentët dhe të rinjtë, ishin dhe deputeti Bledion Nallbati dhe kandidati i opozitës për bashkinë Devoll, Elvis Hajdërlli. Ata u bën thirrje të rinjve që të bashkohen me opozitën, për të bërë të mundur zhvillimin e vendit.