Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kujton 24-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë: Shqiptarët mirënjohës përjetë për çlirimin dhe paqen


Ish-kryeministri Sali Berisha ka rikujtuar sot 24-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Në një postim në rrjetet sociale, ai u shpreh se ndërhyrja e Aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA dhe presidenti Bill Klinton, kishte një rol vendimtar për mbrojtjen e lirisë së 2 milion shqiptarëve të Kosovës dhe pavarësinë e saj.

 Berisha shtoi se shqiptarët i mbeten përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe SHBA-ve.

 

Postimi:

“24 marsi është dita e historisë për NATO-n, lirinë e Kosovës dhe kombit Shqiptar!

Të dashur miq , 24 vite më parë, me 24 mars 1999 Aleanca e Atlantikut të Veriut në një vendim historik unanim e udhëhequr nga SHBA dhe presidenti Bill Klinton, ndërmori ofensivën e saj ajrore më të madhe pas luftës së dytë botërore, ofensivën e parë në historinë e saj në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore të 2 milion shqiptarëve në Kosovë që përjetonin genocidin dhe barbaritë që hordhitë pushtuese të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç ushtronin ndaj tyre. Ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s kundër Beogradit krahas luftës çlirimtare të UÇK pati rol vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndaj shqiptarët i mbeten mirënjohës përjetë NATO-s, SHBA dhe vendeve të tjera anëtare për rolin e tyre çlirimtar për shqiptarët në Kosovë dhe vendosjen e paqes në Ballkan.

Zoti e bekoftë NATO-n, vendet e saj anëtare dhe ushtritë e saj.”