Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi shpjegoi në emisionin “Newsline me Viol Xhafaj” në ABC News se ku do gjenden paratë për premtimin e tij ambicioz për transport falas.
Këlliçi tha se ky është një premtim real dhe se i ka bërë të gjitha llogaritë për këtë, duke dalë në përfundimin se realizimi i këtij premtimi do t’i kushtojë Bashkisë së Tiranës vetëm 6.8% të buxhetit.
“Paratë janë aty. Në buxhetin e Bashkisë së Tiranës. Është një buxhet i mjaftueshëm për problematikat që ka qytetit. Buxheti 240 milion euro, duke diskutuar me ekspertë të këtyre fushave, bazuar nga të dhënat që marr, një transport publik përdoret nga 200 mijë banorë dhe priten rreth 140 mijë bileta në ditë. 140 mijë bileta nga 40 lekë, kushtojnë 1.5 milion euro në muaj, 18 milion euro në vit, që i bie rreth 6.5% e buxhetit.
Unë gjykoj, diskutimi duhet të bëhet a shërben kjo nismë. Unë mendoj se kjo i shërben qytetit.
Një qytetar që banon në Laprakë, që punon në Sauk apo zonë tjetër, do ti duhet të marrë dy linja urbani në ditë vetëm në një rrugë, dhe mesatarisht i bie të harxhojë 43 mijë lekë në muaj. Ti kursesh një qytetari 43 mijë lekë është një ndihmë shumë e madhe duke parë rrogat. Fondet janë, puna është si do përdoren” u shpreh Këlliçi.