Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e larta dhe moti i mirë favorizojnë eksportin e zarzavateve dhe frutave në këtë fillim vit


Çmimet e larta të ushqimeve kudo në botë duket se kanë nxitur fermerët të prodhojnë me shumë në sezonin e dytë të mbjelljeve.

Të ndihmuar edhe nga dimri i ngrohte, fermerët kanë eksportuar sasi më të larta të frutave dhe zarzavateve në dy mujorin e parë të vitit 2023.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në janar-shkurt 2023 eksportet e zarzavateve në sasi u rriten me 10%, ndërsa eksportet e frutave me 25 për qind. Fermerët pohojnë se rritja duhet të ishte edhe më e lartë nëse qeveria do të kishte rritur subvensionet për sektorin e bujqësisë.

Ndryshe nga vitet e tjera prodhimet e serave dolën gati 20 ditë më shpejt duke bërë shitjet e para që në mes të shkurtit. Prodhimet e para iu shiten me çmime të larta. 1 kilogram kastravec për eksport u shit me 120 lekë, një vlerë e lartë në raport me vitet e tjera.

Fermerët në zonat me bujqësi intensive në sera, Fier dhe Berat pohojnë se këtë vit çmimet ishin më të larta se vitet e kaluara, duke nxitur serish interesin për të kultivuar në sera. Fermerët pohojnë se, janë rritur edhe kostot gjithashtu. Ata vijojnë të blejnë me çmime të larta shume prej lendeve të para çmimi i të cilave ka pësuar rënie të dukshme të tregjet ndërkombëtare, të tilla si ureja.

Për shkak të investimeve në zinxhirët e eksportit, prodhimet në sera po marrin formën e bizneseve të organizuara. Eksportet e zarzavateve ishin 3.4 herë me larta se importet në vitin 2021.

Ky raport u përkeqësua në krahasim me vitin 2021 ku eksportet e zarzavateve ishin 4 herë më të larta se importet. Sakaq tregu vendas aktualisht po shfaq problematika në furnizimet vendase me qepë. Fermerët fokusuan mbjelljet vitin e kaluar tek kultivarët me çmime të lartë, duke zgjeruar sipërfaqet e kultivuara me drithëra.

Zhvillime pozitive ka edhe në prodhimin dhe eksportin e frutave. Deri në vitin 2020 vendi ishte deficitar në tregtinë më jashtë të frutave, ku importet ishin më të larta se eksportet. Pas vitit 2020 raportet kanë ndryshuar. Në vitin 2022 sasia e frutave të eksportuara ishte 30% më e lartë se sasia e importeve.

Ndër produktet kryesore të eksportuara janë perimet e serrave, domatja, kastraveci, speci, lakra, qepa, preshi etj. Ndërsa gjeografia e eksporteve “Made in Albania” është shtrirë në mbi 75 shtete të botës.

Një nga sfidat me të cilat përballet bujqësia shqiptare në sektorin e eksportit është mbështetja e ulët e qeverisë, mungesa e tregjeve me vlerë të lartë dhe copëzimi i madhe i tokës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor