Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Alibeaj t’i dorëzojë vulën Sali Berishës, nuk gjeti dot 61 kandidatë


Deputeti i PD-së, Ervin Salianji i kërkon Enkelejd Alibeajt t’i dorëzojë vulën e Partisë Demokratike te Sali Berisha.

Salianji deklaroi në emisionin “Task Force” me gazetaren Sonila Meço në Syri TV,  grupimi i Alibeajt nuk arriti do të gjente 61 kandidatë për zgjedhjet vendore.

Gjithashtu, ai i kërkoi Alibeajt që të dorëzojë edhe paratë që ka akorduar buxheti i shtetit për fushatën e Partisë Demokratike të cilat duhet t’u shpërndahen kandidatëve të primareve.

“Nëse do të kishte një qëndrim apo diskutim qoftë në betejën që kanë shpallur kundër Berishës, apo shkatërrimin e regjimit të Ramës, si mund të bëhet kjo kur nuk gjen 61 kandidatë. Duhet padiskutim jo vetëm që duhet të depozitohet vula tek ai që ka shumicën, te Berisha, por nga të gjithë elementet që bëjnë që mund të ketë ende një vulë te grupimi, apo rreth vulës, janë paratë që vijnë nga buxheti, janë rreth 2 mln euro. Ato para duhet të shpërndahen tek kandidatët që vijnë nga primaret dhe të cilët edhe për shkak të moskandidimit të këtij grupimi u takojnë atyre, qoftë paratë, qoftë koha mediatike. Një parti politike që nuk ka 61 kandidatë që nuk ka identitet që nuk e di për çfarë lufton, nuk ka sens për çfarë të luftojë. Të bëjë atë që përcaktoi votuesi si shumicë, ta njihnin“, u shpreh Salianji. 

Ky grupim, tha Salianji, do të jetë përgjegjës për rezultatin e opozitës në 14 maj. 

“Nuk mundet që çdo mendje që është e sëmurë dhe nuk hyn vetë dhe thotë ne që të dëmtuam dalim dhe të kërkojmë llogari që nuk pati rezultat…kjo është e sigurt që ka për të ekzistuar. Njerëzit e kanë kuptuar lojën, qëllimin, e kanë kuptuar për çfarë bëhet kjo betejë dhe në këto kushte nuk ka se çfarë të thuhet. Përgjegjësit e vetëm nga ndonjë rezultat që mund të mos jetë i pëlqyeshëm në zona të caktuar do të bjerë mbi këtë grupim i cili nuk ka më busull dhe nuk dihet për çfarë funksionon“, shtoi ai.