Në Mal të Zi po mbahet raundi i dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Mbi 540 mijë qytetarë kanë të drejtë vote deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.
Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor kandidatët për postin e presidentit për një mandat pesëvjeçar janë Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç.
Zoti Gjukanoviç mori mbi 35 për qind të votave në zgjedhjet e 19 marsit, ndërsa kundërkandidati Milatoviç mori mbi 28 për qind të votave, duke e dërguar vendin në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 50% të votave.
Zgjedhjet po zhvillohen të qeta dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar. Komisionet zgjedhore, vëzhguesit dhe kryetarët e qendrave të votimit vlerësojnë se procesi zgjedhor ka një mbarëvajtje të duhur si në aspektin teknik ashtu edhe në përgatitjen e materialit zgjedhor.
Kryetari i Komisionit Zgjedhor Komunal, Ahmet Aloshi i tha Zërit të Amerikës se çdo aspekt i zgjedhjeve është përgatitur mirë dhe procesi po zhvillohen në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar.
“Materiali zgjedhor është dorëzuar në kohë dhe me sukses nga Komisioni Komunal Zgjedhor. Sot në orën shtatë të mëngjesit janë hapur të gjithë vendvotimet dhe çdo gjë ishte në rregull përveç një vendvotimi ku lista nuk ishte e shtypur, por edhe kjo mangësi u eliminua menjëherë”, tha zoti Aloshi.
Ndërkaq, kryetari i qendrës së votimit në Shtëpinë e Kulturës së Ulqinit, Naser Selita tha se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt.
“Procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë të rregullte. Nuk kemi as ankime dhe as të meta teknike. Kemi filluar në orarin e parapamë”, tha zoti Selita.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë. Zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, dhe analistët ato i shohin si tejet të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Analisti dhe gazetari Mustafa Canka zgjedhjet presidenciale i cilëson si tejet të rëndësishme edhe nga fakti se tregojnë nga cili krah do të anojë Malin e Zi në zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare.
“Patjetër që këto janë zgjedhje të rëndësishme sepse rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të tregojnë në ç’drejtim do të shkojë Mali i Zi si dhe do të tregojnë si do të jenë edhe zgjedhjet parlamentare, të cilat do të jenë vendimtare për të ardhmen e Malit të Zi”, tha zoti Canka.
Milo Gjukanoviç është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve dhe president aktual i Malit të Zi, i cili ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.
Ndërsa, Jakov Milatoviç, është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar.
Fitues në raundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale do të jetë kandidati që do të fitojë numrin më të madh të votave nga zgjedhësit.
Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.
Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.