Vendosni fjalën kyçe....

Vritet me bombë brenda lokalit blogeri i njohur ushtarak rus, pamjet e shpërthimit (Video)


Korrespondenti kryesor ushtarak rus Vladlen Tatarsky (emri i vërtetë i të cilit është Maksim Fomin), është vrarë në një shpërthim në Shën Petersburg të dielën.

Në media janë shfaqur videot e shpërthimit të fuqishëm si dhe të një gruaje që hyn në lokal me një kuti në dorë pak çaste para ngjarjes.

 

Ngjarja ndodhi brenda kafenesë ‘Street Bar 1’ që ndodhet në qendrën historike të Shën Petersburgut, në bregun e lumit Neva, pikërisht përballë ndërtesës ikonë të Admiralty. Tatarsky, një reporter i shquar lufte i lindur në Donbass, po zhvillonte një takim atje të dielën.

 

Sipas mediave ruse në sulmin me bombë janë lënduar të paktën 32 persona ndërsa pajisja shpërthyese e improvizuar ishte kamufluar si një statujë që iu dha Tatarskit gjatë takimit.

Lokali i përket themeluesit të grupit ushtarak privat ‘Wagner’ Evgeny Prigozhin, sipas gazetës lokale të lajmeve Fontanka. E përditshmja e Moskës ‘Kommersant’ thotë se kjo u konfirmua nga kompania e tij e hotelierisë ‘Concord’ në vitin 2020.

 

Tatarsky iu bashkua milicive të Donbass në vitin 2014 pas ngjarjeve në sheshin Maidan në Kiev. Që atëherë ai është bërë i njohur në Rusi si një bloger dhe korrespondent që raporton mbi situatën në Republikat Popullore të Donetsk dhe Lugansk. Tatarsky gjithashtu ka shkruar disa libra.

Incidenti është i ngjashëm me vrasjen e një figure të njohur të medias ruse, gzetares Daya Dugina. Ajo u vra me një shpërthim në makinën me të cilën udhëtonte në gusht 2022.

Dugina ishte vajza e filozofit Aleksandr Dugin, i cili cilësohet si ideolog i nacionalizmit rus. Sipas disa raporteve, ai mund të ketë qenë objektivi i vërtetë i sulmit. Shërbimet ruse të sigurisë më vonë pretenduan se agjentët ukrainas fshiheshin pas vrasjes.