Vendosni fjalën kyçe....

Rama dhe Berisha me Podcast, a do përballen me njëri-tjetrin?


Kryeministri Edi Rama shpalosi ditën e sotme një hapësirë të re komunikimi me publikun nëpërmjet Podcastit “Flasim”.

Ai gjatë videos shpjeguese tha se do “flasë” me të me personazhe të skenës publike shqiptarë e të huaj miqësorë apo jo si dhe me kundërshtarë të tij nëse e pranojnë ftesën.

Flasim, është një eksperiencë e re për mua dhe ju. Flasim është Podcasti im, i menduar për të folur lirshëm, në praninë tuaj, me njerëz të njohur, a të panjohur. Me personazhe të skenës publike, politikës, artit, kulturës, medias. Shqiptarë të huaj miqësorë apo jo ndaj meje, por edhe protagonistë të tjerë shqiptarë, aty ku nuk hynë sytë e vëmendjes publike. Madje edhe kundërshtarë, pse jo, nëse pranojnë ndonjëherë ftesën. Kjo është dëshira. Flasim”-thotë Rama.

Disa orë pas tij, edhe Sali Berisha tha se do bëjë podcast madje e ka pasur këtë mjet në “sirtarin e tij digjital” duke e quajtur Ramën disa hapa pas tij.

Madje Berisha tha se është i gatshëm të pëballet me Ramën në podcastin e tij ose të kryeministrit.

Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.

Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.

Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar.

Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.

Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”-shkruan Berisha.