Vendosni fjalën kyçe....

Majlinda Bregu: Kryetar s’të bën vula dhe logoja


Ish-ministrja e integrimit të qeverisë Berisha, Majlinda Bregu komentoi pas disa kohësh në Abc Neës situatën në Partinë Demokratike dhe përçarjen mes grupit parlamentar.

Bregu tha se Basha e mori partinë si dhuratë dhe nuk diti ta menaxhonte dhe përveçse e shkatërroi ia kaloi Alibeajt dhe tashmë ndodhet në këtë situatë.

Ish-ministrja theksoi se kryetar nuk të bën as logoja dhe as vula.

“Nuk e di nëse jam e habitur, jam e tronditur apo jam e përgatitur? Unë do të them se isha e përgatitur, sepse të paktën në momentin ku jam larguar unë nga PD-ja, fatkeqësisht leximi se çfarë do të vinte më pas ishte shumë i qartë dhe ju e mbani mend shumë mirë. Kemi qenë bashkë në atë kohë, që frika më e madhe ishte se partia do të kalonte në proces vetëshkatërrimi. Gjë që ka ndodhur sot, kështu që, një ditë, që mali sapo mbarset “pjell një mi” apo në ditën tjetër duket sikur ka një ngjyrim më të madh, në fund të ditës, rezultati fatkeqësisht është ky që shihni të gjithë. Deri diku besoja se ajo le të themi, ose ai shembull i dhënë, kur Lulzim Basha mori një parti dhuratë dhe nuk diti të menaxhonte, përveçse e shkatërroi dhe nuk diti ta menaxhonte, do ndalej me të, por partia dhuratë e Lulzim Bashës i shkoi Enkelejd Alibeajt dhe ja ku jemi. Nuk të bën kryetar logoja sikurse nuk të bën as vetëm vula, por ky nuk është problemi për të gjetur fajtorin sot, ky nuk është problemi që ti nuk je i zoti, problemet janë aq të mëdha në PD, të strukturuara vit pas viti sa sot është tërësisht e vështirë dhe me sa duket fatkeqësisht duhet të bëhet akoma më keq për t’u bërë mirë,”-tha Majlinda Bregu.