Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Fatura e arbitrazhit është 392 mln euro, largimi nga Gjykata tregon përbuzjen e qeverisë ndaj ligjit


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku thotë se fatura e arbitrazhit është 392 mln Euro, ndërsa shton se kjo shifër lidhet me mënyrën se si qeveria ka trajtuar kontratat publike.

Në një reagim të bërë në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se Edi Rama, kur i ka interesuar ka shpërfillur çdo logjikë ligjore dhe i ka çuar palët në Arbitrazh, por në rastin e inceneratorit dhe pagesës së tij, e përdor Arbitrazhin si alibi për të vazhduar kontratën 430 mln euro!

Lidhur me vendimin e Arbitrazhit dhe detyrimin që qeveria shqiptare ka për të paguar dëmshpërblimin, sipas Tabakut, sa më shumë të vonohet kjo shlyerje, aq më shumë do të rritet kamata.

Fatura e arbitrazhit është 392 mln Euro! Arsyet e kësaj shifre marramendëse lidhen me mënyrën se si qeveria ka trajtuar kontratat publike. Aty ku i ka interesuar ka shpërfillur çdo logjikë ligjore duke i çuar palët në Arbitrazh ndërsa tek rasti inceneratorit dhe pagesës së tij e përdor Arbitrazhin si alibi për të vazhduar kontratën 430 mln euro!

Arroganca dhe mendjelehtësia se askush nuk do japë llogari për abuzimet me taksat e qytetarëve që merren për të shlyer detyrimet e keq qeverisjes do paguhen një ditë. Sa më shumë shtyhet afati aq më e lartë kamata”, shkruan deputetja.

Ndërsa sa i takon deklaratës së kryeministrit i cili paralajmëroi se do të dalë nga juridiksioni i Arbitrazhit, Tabaku deklaron se kjo përpjekje tregon përbuzjen e një qeverie për sundimin e ligjit dhe respektimin e pronës edhe sipërmarrjes!

Për 3 dekada prania në gjykatën e Arbitrazhit na ka dhënë dhe i ka dhënë siguri palës tjetër. Përpjekjet për të ikur nga kjo gjykatë tregojnë përbuzjen e një qeverie për sundimin e ligjit dhe respektimin e pronës edhe sipërmarrjes!”, shkruan Tabaku.