Franca dhe Gjermania i janë bashkuar dhjetëra vendeve të tjera të BE-së në mbështetjen e veprimeve ligjore të ngritura nga Komisioni Evropian kundër Hungarisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë mbi një ligj të vitit 2021 që diskriminon pakicat LGBTQI+.
“Gjermania i është bashkuar procedurave të GJED-së të [Komisionit Evropian] kundër ligjeve në Hungari”, tha Ministria e Punëve të Jashtme gjermane në një postim në Twitter të shtunën. Lëvizja tregon se “ne qëndrojmë në krah të komunitetit LGBTQI. Vlerat e përbashkëta të BE-së janë ADN-ja e shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur. Diversiteti është forca jonë”, tha ministria, përcjell Politico.eu.
Përveç Francës dhe Gjermanisë, për t’u bashkuar me procedurat kanë aplikuar edhe Austria, Belgjika, Danimarka, Finlanda, Greqia, Irlanda, Luksemburgu, Malta, Holanda, Portugalia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Parlamenti Evropian.
“Franca dhe Gjermania i bashkohen Komisionit, së bashku me rreth 15 shtete të tjera dhe Parlamentin, për të kundërshtuar ligjin hungarez ‘anti-propagandës’ të LGBT-ve përpara Gjykatës së Drejtësisë së BE-së!” postoi në Twitter eurodeputeti liberal francez Pierre Karleskind nga partia në pushtet e presidentit francez Emmanuel Macron.
Ligji hungarez kërkon të ndalojë përmbajtjen që “promovon ose portretizon” atë që i referohet si “divergjencë nga vetë-identiteti që korrespondon me seksin në lindje, ndryshimin e seksit ose homoseksualitetin” për të miturit. Komisioni e referoi Hungarinë në GJED korrikun e kaluar për shkelje të rregullave të tregut të brendshëm të BE-së për ofrimin e lirë të shërbimeve dhe përmbajtjeve audiovizive ndërkufitare, si dhe të drejtat themelore të individëve dhe vlerat e BE-së.
Afati i fundit për t’iu bashkuar procedurave ligjore ishte 6 prilli.
Aplikimi i minutës së fundit i Gjermanisë tregon divergjencën e pikëpamjeve në koalicionin qeverisës në Berlin. Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock – një politikane e Gjelbër që ka mbrojtur një politikë të jashtme progresive dhe të drejtuar nga vlera – ka shtyrë që Gjermania t’i bashkohet padisë, duke fituar përfundimisht skepticizmin nga pjesëtarët e tjerë të qeverisë, veçanërisht nga Kancelari Olaf Scholz.
Qeveria në Budapest u zotua të “mos tërhiqet nga Akti ynë për Mbrojtjen e Fëmijëve”.
“Shumë qeveri të shteteve anëtare i janë dorëzuar propagandës gjinore nga Brukseli dhe jashtë saj”, tha zëdhënësi i qeverisë Zoltan Kovacs në një postim në Twitter të shtunën. “Ne do të paraqesim masa të reja në parlament në vjeshtë, duke e bërë Hungarinë vendin me legjislacionin më të rreptë për mbrojtjen e fëmijëve në Evropë. Siguria e fëmijëve tanë është prioriteti ynë kryesor.”