Polonia do të ndalojë përkohësisht të gjitha importet e grurit nga Ukraina, njoftuan të premten qeveritë e dy vendeve.
Masa vjen pas një takimi më herët gjatë ditës midis ministrit të ri të Bujqësisë të Polonisë Robert Telus, i cili mori detyrën të enjten, me homologun e tij ukrainas Mykola Solskyi në një pikë kufitare midis dy vendeve.
“Pala ukrainase ka propozuar të kufizojë ashpër, dhe për momentin edhe të ndalojë plotësisht, mbërritjet e grurit në Poloni,” tha Telus gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas takimit. Ai shtoi se kufizimet nuk do të shtrihen në tranzitin e drithit të destinuar për vendet e tjera.
Pas pushtimit të Rusisë, Ukraina u detyrua të devijonte rreth gjysmën e eksporteve të saj nga portet e bllokuara të Detit të Zi në Poloni, Hungari, Rumani dhe vende të tjera kufitare. Masa, e lehtësuar nga Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së, kishte për qëllim t’i jepte një shpëtim ekonomik Ukrainës, një prej prodhuesve më të mëdhenj bujqësor në botë, dhe të siguronte që eksportet e saj të arrinin në tregjet globale.