Në orët e para të mëngjesit të 10 prillit, rreth 40 minatorë kanë mbetur të bllokuar në Minierën e Trepçës, e cila gjendet në Stantërg, në afërsi të Mitrovicës.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi.
“Që nga ora 3 e mëngjesit, minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontin e 1, për shkak të një defekti të energjisë elektrike në ashensor”, ka deklaruar Jonuzi për Radion Evropa e Lirë. Ky horizont gjendet rreth 900 metra nën tokë,
Deri më tash, sipas Jonuzit, jashtë minierës “kanë arritur të dalin 10 minatorë përmes daljeve të dyta”, ndërkaq rreth 30 të tjerë mbesin të ngujuar.
Jonuzi theksoi se me minatorët e ngujuar janë vënë kontaktet në mënyrë të vazhdueshme dhe se “me shëndet qëndrojnë mirë”.
“Nuk kemi informacione që dikush ka kërkuar ndihmë për shkaqe shëndetësore“, tha Jonuzi.
Në vendin e ngjarjes sipas tij kanë arritur edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e Trepçës, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.
Sipas tij, tashme janë duke u bërë përpjekje që minatorët të nxirren nga miniera, siç ka thënë ai, përmes rrugëve alternative./REL.