Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia, i vetmi vend në Evropë që ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, është pajtuar ta furnizojë me armë Kievin ose i ka dërguar ato tashmë.
Dokumenti, një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara të postuara në internet javët e fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e dokumenteve sekrete amerikane në vite.
Ministri serb i Mbrojtjes, Milos Vuçeviç, e hodhi poshtë informacionin si “të pavërtetë” në një deklaratë të mërkurën.
“Serbia nuk i ka shitur dhe as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as vendeve që e rrethojnë atë konflikt”, tha ministri Vuçeviç.
I titulluar “Evropa:Përgjigja ndaj konfliktit të vazhdueshëm Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e grafikut rendit “pozicionet” e 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Grafiku tregon se Serbia refuzoi të ofronte trajnime për forcat ukrainase, por ishte zotuar të dërgonte ndihma në armatime ose e kishte bërë tashmë këtë. Aty thuhet gjithashtu se Serbia kishte vullnetin politik dhe aftësinë ushtarake për t’i ofruar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është klasifikuar si sekret që ndalon shpërndarjen e tij për shërbimet e huaja të zbulimit dhe ushtritë. Ai mban datën 2 mars dhe vulën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Reuters nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumenteve.
Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe ambasada e Ukrainës (në Beograd) nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Pentagoni gjithashtu nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Reutersit për këtë çështje, dhe më parë po ashtu ka refuzuar të komentojë ndonjë nga dokumentet e zbuluara.
Qeveria e presidentit Vuçiç ka deklaruar neutralitetin në luftën e Ukrainës, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të Serbisë me Rusinë.
“Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiçit kundruall Rusisë ose ai është nën trysni të madhe nga Uashingtoni për t’i dërguar armë Ukrainës”, tha Janusz Bugajski, një ekspert i Evropës Lindore në Fondacionin Jamestown, një institut i politikës së jashtme.
Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton rrjedhjen e dokumenteve, ndërsa Pentagoni po vlerëson dëmin e shkaktuar ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Dokumenti i Pentagonit i ndanë përgjigjet ndaj kërkesave të Ukrainës për ndihmë në disa kategori: vendet që ishin zotuar të ofronin trajnime dhe ndihmë me armë; vendet që kishin ofruar tashmë trajnime, ndihmë me armatime ose të dyja; vendet me aftësinë ushtarake dhe vullnetin politik “për të ofruar ndihmë vdekjeprurëse në të ardhmen”.
Austria dhe Malta janë të vetmet vende të shënuara me “Jo” në të gjitha kategoritë.
Zbulimi i dokumentit ndodhi pak më shumë se një muaj pasi dokumentet e postuara në një kanal pro-rus në aplikacionin global të mesazheve Telegram, supozohej se tregonte dërgesën nga një prodhues serb i armëve të raketave tokë-tokë, 122 mm, në Kiev në muajin nëntor. Dokumentet përfshinin një manifest të dërgesës dhe një certifikatë të përdoruesit përfundimtar, që ishte qeveria ukrainase.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS, citoi zëdhënësen e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova të ketë thënë se Moska i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar për dërgesat e supozuara.
Prodhuesi i armëve Krusik në Valevë të Serbisë mohoi t’i ketë ofruar raketa ose armë të tjera Ukrainës. Presidenti serb Vuçiç i quajti akuzat “një gënjeshtër”.
“Ne nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai gjatë një vizite në Katar, më 5 mars.
Reuters nuk mund të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e dokumentacionit mbi dërgesën të postuar në Telegram.
Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar, presidenti Vuçiç është përpjekur të balancojë lidhjet e ngushta me Moskën me synimin e tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Por Serbia është vendi i vetëm në mesin e 44 vendeve të Evropës që nuk është përfshirë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
VINI RE: Artikulli është marrë nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe