Vendosni fjalën kyçe....

“Të jesh aleat s’do të thotë të jesh vasal” – Macron rithekson  qëndrimin e Francës ndaj SHBA-së


Parisi është një aleat dhe jo një ‘vasal’ i Uashingtonit, tha të mërkurën presidenti francez Emmanuel Macron, duke mbrojtur komentet e tij për ‘autonominë strategjike’ të BE-së në lidhje me tensionet në rritje midis SHBA-së dhe Kinës.

“Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal…nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të mendojmë vetë”, tha Macron në Amsterdam në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin holandez Mark Rutte.

I pyetur për qëndrimin francez ndaj Tajvanit, Macron tha se Parisi mbështet status quo-në, që do të thotë ‘politikën e një Kine dhe kërkimin për një zgjidhje paqësore të situatës’.

Duke u kthyer nga udhëtimi i tij në Kinë të dielën, Macron argumentoi se BE-ja nuk mund të jetë thjesht ‘pasues i Amerikës’ dhe se nuk është në interesin e bllokut të ngjallë tensionet mbi Tajvanin.

“Gjëja më e keqe do të ishte të mendosh se ne evropianët duhet të bëhemi ndjekës në këtë temë dhe të marrim udhëzimet nga axhenda e SHBA-së dhe një reagim i tepruar kinez,” u tha ai gazetarëve.

Vërejtjet fituan një qortim të shpejtë nga senatori amerikan Marco Rubio, një republikan nga Florida në komitetin e punëve të jashtme, i cili sugjeroi se Uashingtoni mund të largohej nga BE duke ia lënë kësaj të fundit trajtimin e konfliktin në Ukrainë.

Kryetari i parlamentit tajvanez Ju Si-kun argumentoi të martën se Franca kishte braktisur moton e saj ‘liri, barazi, vëllazëri’ dhe se demokracitë e përparuara nuk duhet të ‘injorojnë jetën dhe vdekjen e njerëzve në vende të tjera’, duke shtuar se komentet e Macron e lanë atë ‘të habitur’.

Ndërkohë, ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se Macron kishte ‘shumë të drejtë për të kërkuar pavarësinë dhe sovranitetin europian’, ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, vuri në dukje se ‘shumë’ udhëheqës të vendeve të BE-së mendojnë si Macron, megjithëse ata ‘nuk do t’i thoshin gjërat në të njëjtën mënyrë’.

Kur u pyet në lidhje me komentet e presidentit francez të hënën, Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se Franca është një aleat i vjetër dhe se mosmarrëveshjet e rastësishme nuk e dëmtojnë ‘partneritetin e thellë’ me Parisin.

Sa i përket qëndrimit të BE-së, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit citoi një fjalim të fundit të presidentes së bllokut, Ursula von der Leyen, i cili e përshkroi Kinën si ‘një kërcënim të sigurisë kombëtare dhe ekonomike’ dhe tha se ka ‘konvergjencë të madhe’ midis Uashingtonit dhe Brukselit.