Vendosni fjalën kyçe....

Vetingu, test droge krerëve të policisë, nëse rezultojnë pozitiv nuk ka shkarkim automatik por ‘rrethanë rënduese’


Drejtorët dhe shefat e Policisë që do të kalojnë në vetting nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, do të testohen për lëndë narkotike.

Në ndryshimet ligjore që tashmë në fuqi parashikohet që paralelisht me hetimin e pasurisë dhe aftësisë profesionale, në pastërti figure do të jetë testimi për drogën. Mbetet e paqartë nëse ky testim do të bëhet nga vetë AMP, apo rezultatet do të dorëzohen vullnetarisht nga secili prej rreth 300 drejtorëve dhe shefave të bluve.

Megjithatë rezultati eventual pozitiv për drejtuesit e policisë për përdorim droge nuk është automatikisht një arsye për shkarkim por një rrethanë rënduese. Pra, nëse një drejtues policie rezulton përdorues droge kjo nuk është automatikisht arsye për t’u shkarkuar.

Përveç drogës, kalimi i vlerësimit kalimtar të policëve nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në AMP, vjen edhe me risi të tjera. Nëse KJV kishte mandat të limituar, AMP do të kryej vetting në mënyrë periodike, çdo 5 vjet për subjekt, vetëm për gradat më të larta, jo më për punonjësit e thjeshtë të policisë. Subjektet që kanë kaluar në vetting nga KJV, do të rihyjnë në proces kur të plotësojnë 5 vjet.

Për shembull, kryepolici i Tiranës, Tonin Vocaj, që ka kaluar me sukses në filtër në fund të dhjetorit 2019, do t’i nënshtrohet procesit në 2025-ën. Për ata që do të kalojnë në vetting për herë të parë, do të verifikohen që në vitin 2008.  Për t’i dhënë më shumë besueshmëri procesit, verifikimi i pasurisë nuk do të bëhet nga vetë AMP, por tashmë është ngarkuar Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, i cili pasi kryen të plotë hetimin, e dërgon në AMP, e cila e paraqet në seancën publike. Pak ditë më parë u hodh shorti për 36 subjektet e para që do të hetohen, mes tyre drejtues departamentesh në Drejtori të Përgjithshme dhe drejtues qarqesh.

Por, pse dështoi Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit me vetting-un në Policinë e Shtetit?

Një prej shkaqeve kryesore që u pa e arsyeshme shkrirja e KJV ishte vonesa shumë e madhe në proces. Në 4 vite, ky komision përfundoi vlerësimin kalimtar vetëm për 71 punonjës policie, dhe për të kryer këtë proces të plotë do të duheshin dekada pasi fillimisht në filtër të vetting ishin parashikuar rreth 12 mijë policë në të gjithë vendit.

Vetë KJV ka argumentuar se vonesat kanë ardhur për shkak kohës së gjatë që institucionet kanë kthyer përgjigje në kuadër të verifikimeve. Një raport i GRECO në Këshillin e Evropës, ishte një tjetër arsye. Ata i rekomanduan qeverisë shqiptare kufizim të subjekteve për t’u filtruar në vetting, duke u përqendruar tek nivelet menaxheriale, në strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, të ecurisë në karrierë dhe rritjes në gradë