Banorët e Bërxullës, të cilët protestojnë prej më shumë se 7 muajsh kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar kanë paralajmëruar se nuk do ndalen.
Dy përfaqësues të tyre, kryeplaku Muharrem Koni e një banot tjetër ishin të ftuar mbrëmjen e sotme në New24 në emisionin ‘Kjo Javë’ ku paralajmëruan se nuk do i ndalojnë protestat, të cilat sipas tyre do jenë ditore para Hipotekës.
Ai theksoi se nëse nuk merren paraysh të drejtat pronësore të banorëve, protesta do përshkallëzohet.
“Kur paligjshmëria bëhet ligj, vetëgjyqësia bëhet detyrim. Ky projekt është miratuar nga Autoriteti Rrugor. Edhe kontratën që ka firmosur Ministria e Infrastrukturës e ka firmosur zëvendësministri. Pra e kanë bërë në atë formë që të dy të dalin të larë. Tani tek Hipoteka. Drejtori i ri është vënë para një muaji e gjysmë, Agron Çerri. Ky është drejtor dhe firmën ia delegon zëvendësdrejtorit.
Si mund të funksionojë një shtet i tillë duke shmangur përgjegjësitë. Ajo rrugë do të ketë fatin e Kalasë së Shkodrës. Juve ju duket çudi, por unë e kam thënë ajo rrugë do ketë lapidar. Unë e kam thënë, po shkelen të gjitha të drejtat e njeriut. Unë jam në shtëpinë time. Rritem brezi i pestë në atë vend, nuk kam pushtuar asnjë gjë.” – tha ai.
Ndërkohë një banor i Bërxullës tha se pronën e ka trashëguar nga brezat e familjes së tij dhe theksoi se askush nuk do ia marrë pronën falas.
“Kam qenë i pranishëm në të gjithë protestat, më vret morali im dhe së dyti më vret që fshatarët e mi me të cilët kam jetuar po vuajnë. Tre janë shtyllat, njohja e adhurimit të Zotit, pasuria që na merret pa asnjë shpresë dhe e treta është vdekja. Kemi kam kohë në protesta dhe gjithçka ka rënë në vesh të shurdhër. Jam personi që jam akuzuar nga qeveritarët sepse e kam bërë publike. Kjo është pjesë e një pronës time të trashëguar nga babai 400 e ca vjet më parë të marrë nga ligji 7501. Ne nuk shembin shtetin.
Duam vetëm të zbatojnë ligjin. Ne kemi thënë që nuk do tërhiqemi, kemi bërë protesta të vazhdueshme deri tani. I bëjmë thirrje deputetit, ai nuk pranon të na takojë. Edhe bashkia e Vorës është kokë e prerë pa asnjë rezultat fare. Kanë vlerësuar një dynym tokë sa një orë dorë. Të më marrin tokën për një kilogram vaj? Jemi 7 veta në familjen. Bashkëshorten e nusen e djalit i kam me kimioterapi. Nuk dua ndihmë se jetoj vetë, por mos më merr tokën. Shishen e benzinës nuk e kemi shumë zor me e marrë, por kemi edhe një detyrë tjetër hyjnore, sepse të bësh vetëvrasje është si të vrasësh botën.” – tha Adem Dervishi.