Gangsteri indian dhe ish-politikani Atiq Ahmed u qëllua për vdekje gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të shtunën mbrëma, ndërsa ai dhe vëllai i tij po shoqëroheshin nga policia dhe po flisnin me gazetarët. Vrasja ndodhi në qytetin Prayagraj, në shtetin verior të Indisë, Uttar Pradesh.
Atiq Ahmed, i cili po vuante një dënim të përjetshëm për rrëmbim, dhe vëllai i tij Ashraf po shoqëroheshin në spital për një kontroll mjekësor.
I lidhur me pranga dhe i rrethuar nga oficerët, Ahmedi po fliste me disa gazetarë kur u qëllua në distancë. Nga të shtënat humbi jetën edhe i vëllai ndërsa një polic dhe një gazetar u plagosën.
Përsona të tjerë u panë gjithashtu duke gjuajtur të shtëna në trupat e vëllezërve pasi ata ranë përtokë.
Në vendin e ngjarjes u ndaluan tre të dyshuar. Oficeri i policisë Ramit Sharma tha se sulmuesit iu afruan Ahmedit duke u paraqitur si gazetarë.
“Gjithçka ndodhi në pak sekonda,” tha ai.
Mediat indiane cituan burime të qeverisë rajonale të kenë thënë se të gjithë të dyshuarit kanë të kaluar kriminale. Sipas një raporti krimi të cituar nga mediat, sulmuesit u thanë oficerëve se donin të vrisnin vëllezërit Ahmed ‘për t’u bërë të njohur’.
Ahmed ka lindur në Prayagraj në vitin 1962. Sipas mediave, ai u akuzua për herë të parë për vrasje në moshën 17-vjeçare dhe përfundimisht u ngrit në drejtimin e një rrjeti kriminal në Uttar Pradesh. Ai kishte më shumë se 100 çështje penale të nisura kundër tij gjatë dy dekadave të fundit.
Pavarësisht reputacionit të tij, Ahmed u zgjodh për të shërbyer në asamblenë shtetërore të Uttar Pradesh për pesë mandate radhazi midis 1989 dhe 2004 dhe ishte anëtar i Lok Sabha, dhoma e ulët e parlamentit kombëtar të Indisë midis 2004 dhe 2009.
Muajin e kaluar, Ahmed u dënua me burgim të përjetshëm për rrëmbimin e avokatit Umesh Pal në vitin 2006. Pal ishte një dëshmitar kyç në vrasjen e politikanit Raju Pal në vitin 2005, rivali i Ahmed.
Umesh Pal u vra në shkurt. Ahmed dhe djali i tij 19-vjeçar Asad ishin ndër të dyshuarit për vrasjen e avokatit. Vetë Asad u vra të enjten në një shkëmbim zjarri me policinë.