Vendosni fjalën kyçe....

ISIS vret dhjetëra gjuetarë tartufi në Siri – Media


Të paktën 26 persona janë vrarë në një sulm nga militanmtët e IS (ish-ISIS) në provincën Hama të Sirisë, raportoi të dielën agjencia e lajmeve SANA. Një burim brenda policisë rajonale i tha agjencisë së lajmeve se banorët vendas po mblidhnin tartuf në shkretëtirën në lindje të provincës kur ata u sulmuan nga militantët.

Mediat siriane raportuan se mbi 30 civilë dyshohet se janë qëlluar në incident. Një drejtor i spitalit lokal në qytetin e Salamiyah tha për mediat se objekti i tij kishte marrë eshtrat e 26 personave të vrarë në sulm.

Javën e kaluar, gazeta siriane Al Watan paralajmëroi njerëzit që të mos dilnin në shkretëtirën Hama në kërkim të tartufit, duke përmendur rreziqet e larta që rrjedhin nga minat dhe predhat e pashpërthyera, si dhe nga grupet e mbetura të IS-it në zonë.

Gjithsej 47 persona janë vrarë dhe 71 janë plagosur gjatë grumbullimit të tartufit mes 5 shkurtit dhe 22 marsit, tha një zyrtar i Gjysmëhënës së Kuqe Arabe Siriane për Al Watan. Shumë njerëz janë zhdukur gjithashtu në zonë, raportoi gazeta, duke shtuar se ata mund të jenë rrëmbyer.

Një nga sulmet më të mëdha të ISIS-it u krye në mes të shkurtit, kur 53 civilë u vranë nga terroristët gjatë grumbullimit të tartufit, raportoi SANA.

Tartufi i shkretëtirës nuk është aq i rrallë dhe i çmuar sa kushëriri i largët evropian, por është ende mjaft i njohur në Lindjen e Mesme. Kërpudhat zakonisht shiten me kilogramë dhe mund të kushtojnë midis 22 dhe 65 dollarë për njësi.

Disa lloje tartufi të shkretëtirës mund të kushtojnë deri në 237 dollarë për kilogram, në varësi të cilësisë së të korrave. Sipas Al Watan, megjithatë, të korrat kanë qenë të bollshme këtë vit, duke çuar në çmime më të ulëta të tartufit në tregjet siriane.