Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet shefi i Korporatës Energjetike e Kosovës, Nagip Krasniqi


Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të mërkurën është arrestuar kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për tri vepra penale.

Arrestimi i tij është bërë pas bastisjeve në zyrën e tij, në KEK dhe në dy banesat e tij në lokacione të ndryshme. Bastisjet u ndërmorën shkaku i dyshimeve për lidhjen e dy kontratave nga KEK-u, e të cilat u nënshkruan nga Krasniqi

Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi.

Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Paraprakisht, njësia për hetime e Policisë ka bastisur zyrën e tij në KEK dhe dy banesa në lokacione të ndryshme.

E arrestimin e ka konfirmuar nga Prokuroria Speciale.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në Prokurori bënë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, përfshirë tre kompjuterë, një llaptop, një celular dhe një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Në KEK thanë se nuk kanë ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të kësaj kontrolle.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot ka pasur një kontroll nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth arsyeve të këtij kontrolli. Lidhur me këtë, KEK-u si gjithmonë mbetet i hapur për bashkëpunim me organet e rendit dhe do të ofrojë qasje të plotë në cilëndo kërkesë nga këto organe”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

KOHA kontaktoi edhe dy avokatët e Krasniqit, Lirim Zeka dhe Taulant Ferizi, porse asnjëri nuk është përgjigjur. Për mungesën e përgjigjes rreth rastit, Zeka është arsyetuar duke thënë se është shumë i zënë, ndërsa Ferizi nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike.

Siç ka mësuar KOHA, Krasniqi është i dyshuar për nënshkrimin e një kontrate me procedurë të negociuar me kompaninë “Litwin SA” në partneritet me Bujari B. Shala B.I. për riparim kapital emergjent të kaldasë së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”, në vlerë mbi 3.4 milionë euro.

Kontrata ishte nënshkruar për një periudhë të shkurtër. Më 27 janar ishte bërë thirrja, ndërsa më 3 shkurt ishte lidhur kontrata.

Kompania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët për riparimin e bllokut A5, ndërsa kompania Bujar B. Shala B.I., sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, është regjistruar më 25 janar të 2022-s ndërsa aktivitet primar e ka tregtinë me pakicë.

Kontrata tjetër është angazhimi i një kompanie konsulentë ligjore, në vlerë prej 60 mijë euro dhe në të cilën dyshimi është për konflikt interesi. Kontrata është e vlefshme deri në prill të 2024.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha