Vendosni fjalën kyçe....

Ndërsa numri i të vdekurve ka kaluar 400, shpresat rriten për evakuimin e të huajve të bllokuar në luftimet në Sudan


Dy forcat rivale që luftojnë për kontroll në Sudan kanë thënë të dyja se janë të gatshme të ndihmojnë në evakuimin e shtetasve të huaj, duke rritur shpresat se fuqitë ndërkombëtare mund të shpëtojnë së shpejti qytetarët e bllokuar pas një jave luftimesh, sipas CNN.

Në një deklaratë, ushtria e Sudanit tha se kishte rënë dakord të lehtësonte evakuimin e shtetasve dhe diplomatëve nga një numër vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kinën.

Evakuimet pritet të fillojnë “brenda orëve në vijim”, sipas deklaratës.

Të premten, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) thanë se ishin gati të rihapnin pjesërisht të gjitha aeroportet në Sudan për trafikun ajror për të lejuar vendet të evakuojnë shtetasit e tyre.

Luftimet e ashpra shpërthyen në Sudan të shtunën e kaluar midis Forcave të Armatosura të Sudanit (SAF), të komanduara nga udhëheqësi ushtarak i Sudanit, gjenerali Abdel Fattah Al-Burhan dhe paraushtarakëve RSF, të udhëhequr nga Mohamed Hamdan Dagalo

Të dy janë ish-aleatë, por tensionet mes tyre u ngritën gjatë negociatave për integrimin e RSF-së në ushtrinë e vendit, si pjesë e planeve për të rivendosur sundimin civil.Situata humanitare në terren është duke u përkeqësuar. Shumë banorë të kryeqytetit Khartoum kanë mbetur brenda për një javë dhe deri në 20,000 refugjatë nga rajoni Darfur i Sudanit kanë ikur në Çad ditët e fundit, sipas një deklarate nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.

Më shumë se 400 njerëz janë vrarë dhe 3,550 janë plagosur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Njoftimet për evakuime erdhën pasi përleshjet e reja midis dy grupeve shkatërruan një armëpushim tre-ditor të shpallur për festën myslimane të Bajramit.

Luftimet u raportuan në Khartoum të shtunën, me dëshmitarët që thanë për CNN se përleshje të ashpra po ndodhnin në afërsi të pallatit presidencial dhe dëgjoheshin tingujt e shpërthimeve dhe avionëve luftarakë që fluturonin lart.