Këtë herë nuk do jetë një fushatë nga bodrumi.
Ndërsa presidenti i SHBA-së Joe Biden përgatitet për një betejë të mprehtë rizgjedhjeje, realitetet e garës së vitit 2024 dhe dallimet me vitin 2020 në kulmin e pandemisë së koronavirusit krijojnë sfida të reja për të.
Demokrati Biden thotë se do kandidojë përsëri dhe po shqyrton një njoftim zyrtar përmes një videomesazhi të martën.
Në vitin 2020, Biden mbajti një profil të ulët pasi përhapja e pandemisë Covid-19 shkaktoi kërdi në shumicën e aspekteve të jetës amerikane, duke përfshirë fushatën zgjedhore që e vendosi atë kundër presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Trump foli në mitingje të mëdha, por Biden e bëri pjesën më të madhe të fushatës së tij praktikisht nga bodrumi i shtëpisë së tij në Wilmington, Delaware, duke shmangur kryesisht turmat për të parandaluar përhapjen e sëmundjes dhe për të zvogëluar rrezikun e tij për t’u prekur nga virusi.
Kjo do ndryshojë këtë herë. Kësaj here pritet që fushatat të shoqërohen nga takime publike. të mëdha e të vogla, ndalesa tradicionale të fushatës, darka, takime në fabrika dhe sallat e sindikatave, shtrëngime duarsh, selfie dhe turma njerëzish.
Kongresi i Demokratëve në Çikago do jetë me pjesëmarrje fizike dhe jo online. Dhe Biden, i cili në moshën 80-vjeçare është tashmë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-së, do duhet të bëjë punën e tij të përditshme ndërkohë që ai do ta bëjë këtë edhe për katër vite të tjera në detyrë.
Biden mundi Trumpi-n në vitin 2020 duke fituar në Kolegjin Zgjedhor 306 me 232, duke fituar shtetet e afërta të Pensilvanisë dhe Xhorxhias, dhe ai e mposhti Trump-in me më shumë se 7 milionë vota në shkallë kombëtare, duke kapur 51.3 për qind të votave popullore ndaj 46.8 për qind të republikanëve.
Faktori moshë
Republikanët do vëzhgojnë nga afër shenjat e një plani për të sugjeruar se mosha e ka bërë Biden-in më pak të përshtatshëm për fushatën e Shtëpinë e Bardhë.
“Është mjaft tronditëse që Biden mendon se do të jetë në gjendje të plotësojë një mandat të dytë, e lëre më pjesën tjetër të këtij mandati,” tha strategu republikan Scott Reed.
Trump, kandidati kryesor i hershëm për nominimin republikan, është vetë 76 vjeç.
Përgjigja e Biden ndaj shqetësimeve për moshën e tij dhe kandidimin për rizgjedhje ka qenë ‘më shihini’, dhe Shtëpia e Bardhë tregon për arritjet e tij legjislative si një shenjë të efektivitetit të tij.
“Një orar i gjerë udhëtimi nuk është masa e aftësisë së një kandidati për të bërë punën,” tha strategja demokrate Karen Finney.
“Nuk ka asnjë skenar ku republikanët nuk përpiqen ta bëjnë moshën e tij një problem. Ne e dimë këtë. Dhe kështu fokusi duhet të jetë cila është mënyra më efektive për të arritur te populli amerikan. Po, do të ketë ngjarje dhe udhëtime personalisht, por mund të ketë risi të tjera.”
Fushata e rikonceptuar
Ndihmësit e fushatës së Biden rishpikën fushatën e tij 2020 ndërsa Covid-19 u përhap në të gjithë vendin.
Disa nga risitë u konsideruan si një sukses, duke përfshirë mbledhjen e fondeve virtuale, pa pasur nevojë për udhëtime të shtrenjta.
Por ndryshimet e tjera ishin më të diskutueshme, duke përfshirë një ndalim prej disa muajsh të takimeve derë më derë nga vullnetarët e fushatës dhe paraqitjet e rregullta të Biden në bodrumin e shtëpisë së tij, që u bë një meme e përhapur nga votuesit e krahut të djathtë.
Dalja më e shpeshtë në terren krahasuar me vitin 2020 mund ta ndihmojë Biden, tha Meg Bostrom, bashkëthemeluese e ‘Topos Partnership’, një firmë strategjike e komunikimit.
“Vetëm shikoni fjalimin e Biden drejtuar kombit. Kjo ishte më e mira që kam parë ndonjëherë. Kur republikanët filluan ta turpërojnë, ai shpërtheu,” tha ajo. Biden u përball me republikanët gjatë fjalimit të tij në Kongres në shkurt.
Por çështje të tjera mund ta pengojnë presidentin e tanishëm në gjurmët e fushatës, duke përfshirë trajtimin e tij të ekonomisë.
“Tërheqja për të votuar për Biden në vitin 2020 ishte një lloj nocioni i çuditshëm i kthimit në normalitet,” tha strategu republikan Ford O’Connell, duke iu referuar kaosit të kohës së Trump në detyrë.
“Problemi për Biden është se ai ka qenë në pushtet dhe gjërat tani janë gjithçka tjetër veçse normale, veçanërisht kur bëhet fjalë për ekonominë dhe inflacionin.”
Shqetësimet mbi recesionin
Biden mori detyrën në janar 2021, pikërisht kur vaksinat kundër Covid po përhapeshin dhe kushtet ekonomike u normalizuan gradualisht gjatë mandatit të tij të hershëm pas tronditjes së mbylljeve mbarëkombëtare. Shtetet e Bashkuara tani krenohen me 3.2 milionë vende pune mbi kulmin para pandemisë.
Por amerikanët janë të shqetësuar për një recesion të mundshëm dhe Biden mund të vuajë nga të qenit në anën e gabuar të një cikli ekonomik që shkon në vitin 2024, me papunësinë që ka gjasa të rritet ndërsa rritja ngadalësohet, normat e interesit mbeten të larta dhe inflacioni që mund të lëvizë mbi nivelet para pandemisë.
Trump, i cili tashmë ka shpallur ofertën e tij për rizgjedhje dhe mund të jetë sërish kundërshtari i Biden-it, pritet të ndjekë strategjinë që ai përdori në 2016 dhe 2020 me tubime të shumta të mëdha për të fuqizuar bazën e tij.
Por fillimisht atij do t’i duhet të fitojë atë që mund të jetë një garë rraskapitëse e nominimit republikan – diçka me të cilën Biden, si një president pa opozitë të madhe brenda partisë së tij, nuk do përballet.
“Ne nuk kemi nevojë për zjarr dhe squfur. Ne nuk kemi nevojë për mitingje të zjarrta,” tha strategu demokrat Joe Lestingi.
“Ne kemi nevojë për forcën dhe bindjen e vlerave tona dhe një vendosmëri për të mos i braktisur ato.”
Biden, tha ai, do e sigurojë këtë qëndrueshmëri.
“Unë mendoj se ai do dalë më shumë,” tha Lestingi, duke vlerësuar aftësinë e Biden në politikën tradicionale ‘të shitjes me pakicë’.
“Nëse ju jepet një mundësi për të qenë me të në një mjedis të vogël intim, ai mund të bëjë një ndryshim të madh.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters