Kryeministri Edi Rama nga Forumi i Klimës së Biznesit tha se shumë shpejt do materializohet revolucioni për sistemin e prokurimeve, duke iu referuar përfshirjes së inteligjencës artificiale.
Atë që e quajti si “makthi i tij”, Rama tha se me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale, asnjë ministri dhe as një Komision i Vlerësimit të Ofertave nuk do të ketë më punë me tendera. Po ashtu, Rama shtoi, se kjo do të jetë edhe në të mirë të kompanive, që s’do kenë nevojë që të merren me dokumente.
“Shumë shpejt do të materializohet, duke shfrytëzuar inteligjencën artificiale dhe nisur nga një eksperiencë BE në rindërtimin e shkollave pas tërmetit. Dhe procesi i prokurimit i përzgjedhur nga misioni që i ka prokuruar vetë të gjitha fondet është një proces që na ka mësuar shumë dhe nga i cili kemi kuptuar që ne mund të ndërtojmë një rrugë ku nga njëra anë të kemi një aleancë me institucionet dhe nga ana tjetër të kemi programin e inteligjencëns artificale për prokurimit, që do zbrazet nga letra, do mbarojë historia, ke vulën s’ke vulën, ik thaje, na duhet më e njomë, mungon një letër, sepse çdo e dhënë që kërkohet nga kompanitë dhe vlerësim për kompanitë dhe kur prokurimet të zhvillohen, kompanitë që janë të njohur publikisht dhe që të dhënat e tyre ndodhen në bazën e çmimit, do të duhet vetëm të çojnë çmimin dhe kjo është e mundur vetëm fale teknologjisë dhe do bëjmë spostimin e trupës, sistemi në një dore një agjenci kombëtare e prokurimeve me disa përjashtime të vogla të natyrës teknike dhe do kontraktojmë partnerë ndërkombëtarë dhe që nga ky moment asnjë ministri dhe asnjë KVO shqiptare, Komision i Vlerësimit të Ofertave, makth i im, që arrestohen për tendera, nuk do kenë më këtë punë se bëjnë mijëra prokurime dhe kemi një numër KVO që është marramendësh. Do jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm, njerëzit e KVO do lehtësohen, qeveria dhe Shqipëria do lehtësohen dhe raportet përkatëse do lehtësohen dhe ne do ngjitemi më lartë në vlerësimin në luftën kundër korrupsionit”, tha Rama.
Mungesën e krahut të punës, Rama zgjodhi që ta quante si një “luftë”, por tha se është i bindur që Shqipëria do i mbijetojë kësaj stuhie.
“Luftë për krahun e punës që ne duhet ta përballojmë dhe efekteve katastrofave të së cilës ne duhet t’u mbijetojmë nëse duam të vazhdojmë me sukses në këtë rrugë ku ka hyrë ekonomia jonë që është në një moment kthese shumë të rëndësishëm. Arsyeja pse ne rritëm pagat lidhet me këtë që thashë, si edhe sepse tani u krijua mundësia, ne besojmë që do japë efekte pozitive. Sipërmarrja duhet të bëjë një hap më shumë, i kemi mundësitë t’i mbijetojmë kësaj stuhie. Është luftë me sekondën, jo me ditën”, tha Rama.