Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Qytetarët do na shpërblejnë për punën që kemi bërë, Këlliçi kukull e apendicitit të Shqipërisë


Kryeminstri Rama deklaroi sot se PS-ja do ketë rezultate kuptimplote në zgjedhjet e 14 majit.

Sipas kreut të qeverisë vota e qytetarëve do jetë jo vetëm shpërblim për punën e bërë po edhe një motivim më shumë për të ardhmen.

Ai e bëri deklaratën pas përfundimit të takimit me kryesinë e PS-së.

“Unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do të na motivojë për atë që duhet të bëjmë. Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim në një kthesë të madhe e të fortë në planin ekonomik.” – tha Rama.

Ai komentoi shkurt edhe posterin me dy gishtat e mesit të ngritur të kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi.

Rama tha se ‘Këlliçi është parfumi i zorrës qorre, maska e kukulla të një alternative të kalbur’.

“Nuk kam  koment sepse është një humbje kohe dhe është një lloj ofendimi për votuesit që të merren në konsideratë që të trajtohen individë, të cilëve përveç dëftesave të shkollës që u mungon, gishtat e mesit që i ngatërrojnë për ndonjë mision. Mua s’më bën përshtypje, këta njerëz kanë problem shumë të madh, këta njerëz janë parfumi për zorrën qorre, janë maska, janë kukulla, dhe jo për një zorrë qorre që thjesht përfaqëson një alternativë të kalbur, por për një zorrë qorre që është apendiciti i Shqipërisë. Mund të mos kesh dëftesën, mund ta ngresh gishtin e mesit… ok… këto janë gjëra që kalojnë. Po t’i japësh fytyrën surrateve të së shkuarës që janë aty për interesat e tyre personale kjo është e pa votueshme dhe e pa tolerueshme.” – shtoi kreu i qeverisë.