Nisma Thurje ka zhvilluar sot një takim me banorët e ‘Ali Demit’ në Tiranë.
Gjatë takimit, dy përfaqësuesit Endri Shabani e Pano Soko prezantuan propozimet e tyre për kryeqytetin, në garën për Këshillin Bashkiak, ku marrin pjesë.
Kreu i Nismës Thurje, Shabani, u përqendrua te çështja e transportit publik duke vënë theksin te gjendja në të cilët ndodhet ai duke premtuar një transport publik të unifikuar.
“Studentët e mi çdo muaj shpenzojnë 3 apo 4 orë në rradhë për të marrë një abone, dhe ka raste që as atë nuk e marrin se qëllon që ka mbaruar kuota e caktuar nga bashkia. Ne besojmë se zgjidhja e problemeve që kemi sot me transportin vjen duke ndërtuar një transport publik dhe të unifikuar, duke anuluar konçesionet që kanë fragmentizuar transportin, duke bërë që transporti urban të jetë i shpejtë dhe efiçent duke na kursyer 20 orë çdo muaj që ne sot i humbasim në trafik.” – tha Shabani.
Soko nga ana e tij u ndal teçështja e ujit të pijshëm në Tiranë.
Ai tha se pavarësisht dyfishimit të çmimit të ujit, qytetarët nuk kanë furnizim 24 orë në banesa duke premtuar do luftojë që çmimi i ujit të shkojë aty ku ka qenë në vitin 2017.
“Ne e kishim faturën e ujit 7, 10, 12 maksimumi 15 mijë lekë. Tani na vjen 20, 25 maksimumi shkon edhe 35 mijë lekë” tha Soko. “Propozimi që do të çojmë në Këshillin Bashkiak do të jetë që të rikthehet çmimi ujit aty ku ishte në 2017. Por do të kërkojmë edhe llogari se ku kanë shkuar paratë që u mblodhën për të garantuar ujë pa ndërprerje.” – tha Soko.