Vendosni fjalën kyçe....

Luiza Gega del e dyta në garën 5 km rrugë në Itali


Luiza Gega, kampionia shqiptare e atletikës, ka hapur sezonin veror me pjesëmarrjen në aktivitetin e mbajtur në Oderzo të Trevizos në Itali. Një event prestigjioz, në të cilën konkurruan emra të rëndësishëm të atletikës botërore, ashtu sikurse është edhe Luiza Gega.

Organizatorët italianë E quajnë Gegën “një yll të atletikës kontinentale”, duke iu referuar rezultateve mbresëlënëse ndër vite të saj, të cilat kulmuan sezonin e kaluar me titullin e kampiones së Europës me rekord kampionati në garën e 3000 netrave me pengesa të mbajtur në Mynih.

Duke kaluar te gara e sotme, Luiza mori pjesë në disiplinën 5 km rrugë. Atletja shqiptare u rendit në vend të dytë me kohën 15.37 minuta, pas italianes Ludovika Kavali (15.35) në një garë të fortë që u vendos vetëm në finish. Ndërsa podiumi u plotësua nga hungarezja Viktoria Vagner-Giurkes me kohë 15.45.

Gega vinte në këtë aktivitet me synimin për të thyer rekordin e saj personal, por koha me shi si dhe terreni aspak favorizues ia bënë të pamundur diçka të tillë.

Ndalesa e radhës për Luizën do të jetë më 2 qershor në “Diamond League”, ku dhe do t’i rikthehet disiplinës së saj të preferuar, garës së 3000 metrave me pengesa