Vendosni fjalën kyçe....

Ish-koordinator me PD-në, Andi Lila shfaqet krah Veliajt dhe Ballës në mbështetje të kandidatëve të PS-së


Ish-koordinatori për Sportin në Partinë Demokratike në vitin 2021 është shfaqur në këtë fushatë në Partinë Socialiste.

Ish-futbollisti i kombëtares, Andi Lila i është bashkuar në një takim Taulant Ballës dhe Erion Veliajt.

Lila shprehu mbështetjen për kandidatët e PS-së në Rrogozhinë e Kavajë.

“Edisoni ka qenë portier me Rrogozhinën, jemi pothuajse moshatarë dhe shpesh herë i bëj edhe ndonjë gol. Qyteti i Rrogozhinës ka një skuadër që quhet Egnatia, nga më të mirat e kampionatit shqiptar, dhe realisht është një nga skuadrat që unë simpatizoj, jo sepse jam nga zona, po sepse e keni ndërtuar me të vërtetë shumë mirë.

Ndërsa, për sa i përket Redit, atë e kam shok shkolle, shok të vjetër. Patjetër që një ndër gjërat që Redi më ka premtuar, jo vetëm mua si ish-futbollist i Besës, por edhe të gjithë sportistëve, që stadiumin e Kavajës do ta bëjë të ri dhe për këtë gjë patjetër që do ketë gjithë mbështetjen tonë. Janë dy çuna që janë fjalëpak e punëshumë”, tha ish-futbollisti.

Në këtë fushatë edhe figura të tjera të njohura të artit që kanë përkrahur PD-në si Ermal Mamaqi apo Çilieta Xhilaga shprehën mbështetjen për Partinë Socialiste.