Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor do të ketë një godinë të re.
Një procedurë e çelur këtë të mërkurë në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik me një fond limit 785 milionë lekë apo rreth 7 milionë euro ka në objekt të saj pikërisht këtë synim: “Ndërtim i godinës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)”, objekt multifunksional, ne interes publik, për Shërbimet Qendrore te Transportit Rrugor.
Sipas relacionit arkitektonik që shoqëron projektin e shpallur në faqen e APP lihet të kuptohet që godina e re do të vendoset aty ku sot qëndron godina ekzistuese.
“Zona për të cilën realizohet ky studim, ndodhet rreth 2km larg qendrës së Tiranës, ne ambientet e tanishme te zyrave te DPSHTRR. Zona në studim paraqet interes të veçante pasi ndodhet në një hapësire ne zhvillim miks nga ana funksionale ku kemi praninë e objekteve të banimit dhe hapësirave të tregtimit. Ndërhyrja në zone nuk paraqet zhvillim vetëm për zyrat e vetë institucionit, por gjithashtu sjell zhvillim dhe rijetëzim të hapësirës përreth”, thuhet në dokument.
Objekti ekzistues sipas dokumentit ka pësuar dëmtime dhe degradime të shumta si pasojë e tërmetit dhe mbingarkesës.
Përshkrimi i projektit
Në relacionin që përshkruan anën arkitekturore të projektit dhe që mban logot e DPSHTRR, studios SON dhe Stefano Boeri Architetti shpjegohet se planimetria e objekti ka formën e një katrori me dy bërthama strukturë b/a ku pozicionohet shkalla, ashensori dhe ambientet teknike.
“Kati përdhe i objektit të propozuar përveç recepsionit, hollit dhe disa hapësirave të stafit të mirëmbajtës shërben kryesisht si hapësire ekspozitori “Retro”. Ambientet e tjera si tualete dhe depo pozicionohen në krah të strukturës b/a. Përveç dy shkallëve antizjarr në katin përdhe pozicionohet dhe një tjetër shkallë rrethore e hapur që shërben për të shkuar në katin e parë për qytetarët. Sipërfaqja e katit përdhe është 647 m2.
Kati nëntokë -1 aksesohen nga një rampë e drejtë e jashtme në lindje të objektit. Ky kat akomodon 14 poste parkimi. Në këtë kat ka ambiente për mirëmbajtën dhe dhoma zhveshjeje, gjithashtu ndodhen dhe hapësirat teknike.
Kati nëntoke -2 aksesohen nga një rampe e brendshme. Ky kat akomodon 25 poste parkimi, një hapësirë për larjen e makinave dhe hapësirat teknike te nevojshme.
Kati i parë përfshin kryesisht ambientet për stafin si kafeteri, mensë, salla konferencash, një ambient trajnimi dhe nyjet h/s. Gjithashtu në këtë kat ndodhet arkiva e institucionit dhe zyra e protokollit. Lëvizja në këtë kat, ashtu si dhe katet e tjera organizohet me anë të një korridori rreth një atriumi qendror që del deri në tarracë. Zyrat dhe ambientet e tjera janë të shpërndara rreth atriumit. Lëvizja për në katin e dytë përveç shkallëve antizjarr dhe ashensorit, behet nëpërmjet shkalles me një rampë përgjatë atriumit. Sipërfaqja e katit pare është 885m2.
Kati i dytë, i tretë dhe i katërt i dedikohet zyrave dhe drejtorive të ndryshme që ky institucion mbart. Lëvizja horizontale në këto kate, ashtu si dhe katin e parë organizohet me anë të një korridori rreth atriumit qendror, ndërsa lëvizja vertikale përveç shkallëve antizjarr dhe ashensorit, bëhet nëpërmjet një rampë. Këto kate kanë sipërfaqe të njëjtë 821 m2.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor