Kryebashkiaku Veliaj ka ritheksuar sot se kostoja me të cilën i ndërton bashkia shkollat është më e ulët se ajo me të cilën punon BE-ja e UNDP-ja.
Ai iu përgjigj akuzave të krerëve të opozitës Berisha e Meta duke thënë se nëse kostoja e ndërtimit të shkollave në BE është 60 euro për metër katror, atëherë Berisha-Meta t’i nxjerrin shtëpitë në shitje e bashkia do i blejë me 60 euro për metër katror.
Veliaj tha se Berisha është i shpallur non grata ndërsa Meta një ish-spiun i sigurimit.
“Pse fëmijët duhet të shkojnë në një shkollë që është me standarde stalle, ndërkohë që vilat e Saliut dhe Ilirit duhet të jenë me standarde euro 9? Nëse kostoja e ndërtimit që punon Bashkia e Tiranës është 450 euro, ajo që punon Bashkimi Europian dhe UNDP-ja në Tiranë është 650-700, kjo është prova kryesore. Nëse në Europë ndërtohen shkollat me koston 60 euro metër katror sa kjo tavolinë, unë të kam bërë një sfidë publike: le të dalin për shitje shtëpitë e Saliut dhe Ilirit, vilat e tyre masive me 9 banjo, dhe unë do i blej 60 euro metri katror. Nëse janë burra, kanë shtyllë kurrizore, t’ia shesin bashkise shtëpinë e tyre 60 euro metri katror. Por ata nuk janë burra, janë disa njerëz që sot kanë një hall dhe duke qenë se njëri është non grata dhe tjetri është spiun i sigurimit, janë gati të shpifin për çdo gjë. Ndërkohë ne e kemi të provuar sot, Bashkia e Tiranës ndërton me 1/3 të kostos më pak se të njëjtat projekte të BE dhe UNDP-së.” – tha Veliaj.